Superliga Europiane, reagon Ceferin: Jemi kundër, sistemi aktual është i duhuri

schedule21:59 - 28 Tetor, 2020

schedule 21:59 - 28 Tetor, 2020

Në mediat europiane po flitet shumë për krjimin e një Superlige Europiane, e cila do të bënte bashkë ekipet më të forta në kontinentin më të vjetër në botë. Nuk ka vonuar një reagim nga UEFA, me anë të presidentit Aleksander Ceferin, i cili ka hedhur poshtë të gjithë lajmet rreth këtij projekti.

“Ne e kemi bërë të qartë në disa raste se UEFA është plotësisht kundër krijimit të një Superlige. Parimet e solidaritet dhe promovimit nuk janë aspak të negociueshme. Ky sistem që kemi e bën futbollin europian që të funksionojë dhe Champions League kompeticionin më të fortë në botë”, shpjegoi presidenti në një deklaratë zyrtare.

Lajmet për krijimin e Superligës u shtuan akoma dhe më shumë gjatë ditës së djeshme, ku ishte ish-presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu, i cili deklaroi se klubi katalanas kishte pranuar të merrte pjesë në këtë projekt. Megjithatë, kreu i UEFA-s hodhi poshtë këto zëra, duke shtuar një kompeticion me të njëjtat klube do të ishte e mërzitshme për tifozët si dhe vazhdon të mbështesë sistemin aktual të futbollit.

Sigurisht rreth kësaj teme pati dhe një reagim nga FIFA, e cila përmes një deklarate për shtyp hodhi poshtë të gjithë aferën e krijuar.

“FIFA nuk është në dijeni të ndonjë marrëveshjeje. Siç e thamë dhe javën e kaluar, kompeticioni i ashtuquajtur Superliga Europiane shfaqet herë pas herë në media të ndryshme dhe FIFA nuk dëshiron të komentojë për këtë. Tashmë ka struktura institucionale të futbollit të mirë themeluara, të cilat mund të merren me këtë çështje”, shkruhet në deklaratën e qeverisë së futbollit botëror. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!