Superiorja nuk vazhdon, presidenti i Ligës së Futbollit: Vendimi, unanim!

schedule12:20 - 19 Tetor, 2020

schedule 12:20 - 19 Tetor, 2020

Liga Profesioniste e Futbollit ka zhvilluar takimin e radhës ditën e sotme. Katër kërkesat e botës së futbollit nuk janë plotësuar akoma nga autoritetet shtetërore, teksa 10 presidentët e Superiores kanë zgjedhur rrugën e bojkotit në kushte të tilla.

Sezoni i ri nuk ka nisur akoma dhe jemi të detyruar të vazhdojmë të presim për fillimin e dueleve sportive. Liga nuk ka hequr dorë nga vendimi i marrë dhe bojkoti vazhdon, teksa është marrë edhe një vendim tjetër, të cilat i shpjegon Edvin Libohova, presidenti i Ligës.

Liga unanimisht vendosi që bojkoti të vazhdojë derisa qeveria të plotësojë kërkesat. Pika e dytë ishte se duke parë mënyrën se si është trajtuar emisioni sportiv në RTSH, që nuk është koherent dhe mbështetës për futbollin, Liga vendosi që të mos përsërisë me ta kontratën e bashkëpunimit për ‘highlights’ në sezonin që do të vijë. Këto ishin dy vendimet e marra sot.

Sigurisht nëse do të ketë tym të bardhë në takimin e nesërm, qëndrimi do të ndryshojë. Mirëpresim që të zgjidhen problematikat dhe kërkesat tona. Në momentin që ato zgjidhen Liga është e gatshme të nisë futbollin dhe rifillojë garën.

Bisedimet kanë nisur, nuk ka pasur vendimmarrje. Kemi një takim tjetër nesër, shpresoj që përfaqësuesit e Ministrisë së Financave dhe Parlamentit të vijnë me një propozim të pëlqyeshëm nga Liga. Ndryshe vazhdojmë me këtë situatë.

Përçarja e presidentëve? 10 duan që të mos fillojë dhe asnjë nuk do që të fillojë”, deklaroi Edvin Libohova në prononcimin e dhënë për mediat. /abcnews.al