Superiorja në fushë më 19 shtator, Liga publikon vendimet e marra dhe planin e ri

schedule15:10 - 12 Shtator, 2020

schedule 15:10 - 12 Shtator, 2020

Liga Profesioniste e Futbollit është mbledhur në datën kur Kategoria Superiore duhet të kishte nisur. Katër kërkesat e tyre nuk janë plotësuar nga ana e qeverisë dhe kështu edhe javën e ardhshme nuk do të luhet futboll. Ekipet pritet të zbresin në fushë dhe të përsërisin kërkesat që klubet e Superiores kanë. Ky është plani, që është publikuar edhe nga Liga.

NJOFTIMI – Liga Profesioniste e Futbollit, vendim unanim i mbledhjes së datës 12 shtator 2020.

1) Klubet nuk do ta ndërpresin bojkotin e kampionatit dhe nuk do rikthehen më në fushat e blerta deri në përmbushjen e plotë të katër kërkesave të tyre. Në datën 19 shtator bojkoti do zhvillohet, pasi skuadrat të zbresin në fushë, të rreshtohen, të lexojnë kërkesat e Ligës dhe të solidarizohen me to. Nuk presim premtime nga qeveria, presim përmbushje të katër kërkesave tona minimale.

2) Mirëpresim vullnetin e shprehur të qeverisë për bisedime.
a – Këto bisedime duhet të jenë trepalëshe: Qeveri-FSHF-Ligë.
b – Grupi përfaqësues i Ligës në bisedimet me qeverinë përbëhet nga Koço Kokëdhima, Refik Halili dhe Gazment Demi.

Ne presim ftesën e qeverisë që këto bisedime të bëhen me të dhe në tryezat e saj.

c – Ne përshëndesim gatishmërinë, kontributin dhe përpjekjet e zotit Fidel Ylli për të përmirësuar kuadrin ligjor për sportet në Shqipëri dhe kemi besim se ai do mbetet i angazhuar për të mbështetur kërkesat tona. Për të biseduar me të Liga autorizon sekretarin e saj të përgjithshëm, Dritan Kadia.

3) Posterat e Ligës për bojkotin do bëhen publike nga dita e sotme.

4) U bëjmë thirrje komunitetit shqiptar të sporteve, shoqërisë civile dhe opinionit të gjerë shoqëror të bashkohen me kërkesat e Ligës dhe të mbështesin futbollin. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!