Superiores i sollën 2 milion €, kush janë 4 “musketierët” e lirë nga 1 korriku

schedule08:57 - 11 Qershor, 2021

schedule 08:57 - 11 Qershor, 2021

Rreth 2 milion euro i sollën të ardhura klubeve të Superiores kur u shitën dhe ndonjë prej tyre tashmë mund të rikthehen sërish në kampionatin shqiptar.

Bëhet fjalë për lojtarë që kanë luajtur edhe me kombëtaren shqiptare, si Sindrit Guri, Liridon Latifi dhe Enis Gavazaj, apo edhe mesfushorin Bakary Nimaga që spikaste me Skënderbeun.

Shkodranit, i cili u shit nga Kukësi tek Oostende për 710 mijë euro, i përfundon kontrata në fund të muajit dhe një rikthim në Superiore mund të jetë opsion.

Guri vjen nga një dëmtim që e ka lënë pa futboll prej disa muajsh. Sezonin e fundit ka luajtur vetëm tre ndeshje. Në tre sezone me Oostende ka shënuar vetëm 5 gola në kampionat dhe sigurisht i duhet një ekip që t’i japë besim dhe të rikthehet te golat.

E njëjta gjë vlen edhe për Liridon Latifin, i cili “humbi” sezonin e fundit te Akademija Puskas që kishte paguar 1 milion euro te Skënderbeu. Anësori del i lirë më 30 qershor, ndërkohë që i pa angazhuar është edhe Enis Gavazaj.

Sulmuesi është larguar nga Prishtina, pas një sezoni jo të mirë. Skënderbeu tentoi ta shiste lojtarin nga Prizreni, por Yenisey nuk e shfrytëzoi klauzolën në marrëveshjen e huazimit me të drejtë blerje.

Një tjetër lojtar që del i lirë është Bakary Nimaga (Skënderbeu e shiti 250 mijë euro te Hatayspor në Turqi), i cili dy sezonet e fundit ka qenë titullar me Hartberg në Bundesligën e Austrisë. Sigurisht që rikthimi në Superiore i mesfushorit nga Mali nuk është opsion, duke parë ecurinë që ka pasur. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!