Superiore: Derbi i kryeqytetit merr të gjithë vëmendjen, ja tre sfidat e sotme

schedule09:30 - 6 Mars, 2023

schedule 09:30 - 6 Mars, 2023

Sot do të luhen tre sfida të raundit të 24-të në Kategorinë Superiore të Shqipërisë.

Në orën 13:00, Laçi do të presë në shtëpi verilindorët e Kukësit. Kjo sfidë pritet të jetë një përballje e fortë pasi të dyja skuadrat kërkojnë të marrin tre pikët për të qenë sa më largë zonës së nxehtë. Laçi aktualisht ndodhet në vendin e shtatë me 30 pikë, ndërsa Kukësi në vendin e tetë me 28 pikë.

Sfida e radhës do të luhet në orën 16:00, me Teutën që do të presë në Durrës shkodranët e Vllaznisë. Të dyja ekipet janë në formë të mirë, por më shumë spikat Teuta të cilët vijnë nga një fitore e bujshme ndaj Tiranës kryesuese. Vllaznia ndodhet në vendin e katërt me 35 pikë, ndërsa Teuta në vendin e gjashtë me 31 pikë.

Dita do të mbyllet me supersfidën e këtij kampionati, me derbin kryeqytetas. Në orën 19:00, në “Air Albania”, Partizani do të përplaset me Tiranën. Kjo është një nga sfidat më të bukur të kampionatit shqiptar, ku përveç rivalitetit në renditje, ka një atmosferë të jashtëzakonshme edhe në shkallët e stadiumit. Një sfidë e cila gjithmonë dhuron emocione dhe spektakël të garantuar. Në sfidë e cila luftohet në çdo repart të fushës, por edhe në tribunat përkatëse, pasi tifozeritë e dy skuadrave dhurojnë një derbi më vete me performancat e tyre. Momentalisht, Tirana ndodhet në vendin e parë me 40 pikë, ndërsa Partizani në vendin e tretë me 37 pikë, po aq sa Egnatia e vendit të dytë. Të dyja ekipet e kryeqytetit vijnë nga një humbje dhe sot ato do të futen të etura për fitore në fushë./ h.ll/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!