Ignaccio Scocco vulosi fitoren e River Plate përballë Central Cordoba të dielën në mbrëmje. “Los Millonarios” fituan në shtëpi 2-0 dhe kryesojnë Superligën argjentinase me tre pikë më shumë se Boca Juniors. 34-vjeçari realizoi një gol të mrekullueshëm, por ajo që bie në sy është pasiviteti i mbrojtësit me numër tre të ekipit mik. Matias Nani nuk ndërhyn fare dhe shoqëron me sy driblimet e lojtarit të Riverit.
Ky veprim i tij ka tërhequr vëmendjen e Khalid Boulahrouz, ish-mbrojtësit të kombëtares së Holandës, i njohur me nofkën “kanibali”. “Mbrojtësi me numër 3 është në Netflix dhe nuk ia ndjen fare“, shkruan 38-vjeçari, teksa të shumta kanë qenë reagimet e tifozëve për komentin e tij.
“M’u kujtove ti“, i shkruan një prej tyre me ironi, teksa dikush tjetër thekson se i mungojnë vetëm disa popcorn. “I besoi shumë kolegut të tij, ia la gjithçka në dorë mbrojtësit tjetër“, shkruan një tjetër tifoz, teksa batuta e Boulahrouz ka shkaktuar ilaritet të madh në rrjetet sociale. /abcnews.al