Super vila, burri grabiste, gruaja fitonte tendera: Jeta luksoze e Gentian Sharrës që u përmbys nga Nuredin Dumani

schedule16:52 - 10 Qershor, 2022

schedule 16:52 - 10 Qershor, 2022

Dëshmia e dhënë nga Nuredin Dumani para prokurorëve të SPAK, ka vënë në lëvizje gjithë sistemin e drejtësisë, pasi kanë nisur konfiskimet dhe sekuestrimet e pronave të bosëve të krimit që kanë vënë paratë në mënyrë të paligjshme.

Paraditen e sotme Gjykata e Elbasanit njoftoi se kishte sekuestruar 5 milionë euro pasuri të cilat i përkisnin Gentian Sharrës dhe babait të tij Mustafa Sharra, pas të dhënave se ato ishin vënë përmes aktivitetit të paligjshëm. Sharrës iu sekuestruan një vilë në fshatin Katund i Ri, truall gati për ndërtim si edhe një sipërfaqe  e madhe toke.

Emri i Gentian Sharrës për herë të parë u bë publik pas grabitjes në Rinas, pasi në atë kohë ai mori me qera dhe servisin ku u bë modifikimi i furgonit i cili u përdor për grabitjen e Rinasit.

Servis “Genti”, i cili ndodhet në rrugën e vjetër Elbasan-Rrethrrotulimi i Bradasheshit, aty ku dyshohet se u modifikua enkas për grabitjen furgoni me mbishkrimin “Hetimi Tatimor” është bllokuar asokohe nga policia si provë metariale. Mësohet se oficerët e policisë kanë sekuestruar prej andej kamerat e sigurisë, ndërkohë që pronari i servilit, Gentian Sharra, ka konfirmuar se servisin ia kishte dhënë me qira shtetasit Eldi Çala.

Por emri i tij u rikthye sërish në qendër të vëmendjes pas dëshmive të dhëna nga Nuredin Dumani para prokurorëve të SPAK, pas arrestimit të tij në muajin mars në një apartament në Fier, ku gjendej i plagosur pas plumbave që kishte marr pak orë më parë në një atentat që i ishte ngritur në Papër të Elbasanit. Bashkë me Dumanin atë mbrëmje u arrestuar edhe Henrik Hoxhaj dhe një vajzë nga Kosova.

Por çfarë deklaroi Dumani në SPAK për Gentian Sharrën:

“……Në vitin 2013 me sa mbaj mend më takon Talo Çela në një dyqan që unë kisha pas daljes nga burgu. Në këtë dyqan tregtoja këpucë të përdorura. Talo ishte së bashku me Gent Sharrën me një mjet tip Regina. Më tha se kishte një punë për të bërë por na duhen njerëz nga këtej duke nënkuptuar Durrësin. Desha të dija hollësi se për çfarë shume bëhej fjalë dhe ai më tha se bëhej fjalë për 200.000 Euro. Aktiviteti i personit ishte doganier në Korçë por se mbaj mend mirë ose ky ose vëllai i tij. Me tha se nëse isha dakord që unë duhet të shkoja vetëm ditën e ngjarjes por me vete duhet të kisha dhe një person nga ana ime. E pranova punën dhe pas një farë kohe Talo më shkruan hajde takohemi. Kam shkuar dhe kam marrë Dorjan Shkozën sepse Dori në atë kohë ishte në konflikt me Gon Qafën për arsye borxhesh. Për ta nxjerrë nga situata e kam marrë Dorin me vete. Kemi shkuar me furgon të linjës Durrës– Elbasan dhe atë natë kemi fjetur tek shtëpia e Talos. Në shtëpinë e Talos erdhi Gent Sharra, ishte Talo unë Dorjan Shkoza dhe shtetasi Ardjan Çollaku. Ardjani do të na ndihmonte pas grabitjes. Talo e kishte bërë planin me Gent Sharrën. Ditën tjetër në mëngjes jemi çuar dhe kemi shkuar tek vendi me një Opel të vjedhur, ngjyrë të bardhë. Në automjetin tip Opel ishim unë, Talo Çela, Dorjan Shkoza dhe Ardjani i cili ishte shofer. Vendi ku do të shkonim ishte lagjja Kala, Elbasan. Kemi pritur disa minuta aty duke pritur të dilte personi. Shohim që personi del nga një shtëpi dykatëshe para së cilës ishte parkuar në rruge një automjet veturë Benz me portobagazh. Ky personi ishte rreth 50 vjeç, zeshkan. Ai hap derën e mjetit dhe futi një çantë në sedilen e pasme së bashku me një armë gjahu me sa mbaj mend. Aty kemi zbritur unë, Talo dhe Dori. Dori me Talon u konfrontuan me personin duke e qëlluar me armë dy herë në gjoks dhe një herë në këmbë. Në gjoks e gjuajti Talo ndërsa në këmbë e gjuajti Dori. Në këtë moment unë marr çantën dhe shkoj tek mjeti Opel.

Dua të shtoj se jam afruar dhe unë në momentin e konfrontimit pasi kam lenë çantën sepse personi ishte i fuqishëm dhe e kam goditur me shkelm në bark. Të gjithë jemi larguar tek magazina e Ardjanit ku kemi lënë mjetin Opel. Kjo magazinë ndodhej në Fushë Mbret. Nga aty mua me Dorin me ka marrë me mjetin e tij nipi i Ardjanit me një benz të bardhë dhe na çoi në rrugën Elbasan – Peqin ku kemi ndaluar një furgon dhe jemi larguar për Durrës. Në këtë ngjarje kemi pasur të veshur rroba sportive dhe kapuç ku duken vetëm sytë dhe goja. Pas rreth 1 jave ka ardhur Talo Çela se bashku me vëllain e vet Bujarin dhe kanë shkuar tek puna e Dorit. Dori vjen dhe me thërret mua dhe shkojmë së bashku me Dorin në Shënavlash tek vaskat e peshkut. Talo lekët i kishte tek makina e vëllait dhe na ndau 19 ose 20.000 Euro…. Të njëjtën shumë sa unë kishte marrë edhe Gent Sharra, Talo, Ardjan Çollaku dhe Dori”, thuhet në dëshminë e Dumanit.

Në kërkesën e paraqitur prokuroria arsyeton se: Deklarimet e dhëna nga i hetuari përputhen më së miri me provat e tjera të administruara deri në këtë fazë të hetimit dhe janë të atilla që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se shtetasit Nuredin Dumani, Gentian Sharra, Dorian Shkoza dhe Ardian Çollaku kanë konsumuar elementët e veprave penale “Vjedhjes me armë në bashkëpunim”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”, kryer në bashkëpunimin e posaçëm në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.

Por paratë në “derën” e Gentianit nuk vinin vetëm përmes grabitjeve dhe aktiviteteve kriminale, pasi një tjetër mënyrë e përfitimit ishin dhe tenderat që fitoheshin nga bashkëshortja e tij O.Sharra.

Bashkëshortja e Gentian Sharrës, O.Sharra, rezulton të jetë pronarja e një kompanie e cila ka fituar një tender të majmë në Spitalin Psikiatrik “Sadik Dinçi” në Elbasan.

Bëhet fjalë për një kontratë 11 217 107 lekëshe, për “Shërbim gatimi dhe shpërndarje ushqimi për Spitalin Psikiatrik. Burimi i financimit është direkt nga Buxheti i Shtetit, ndërsa procedura e prokurimit është zhvilluar më 27 mars të vitit 2020.

Çfarë iu sekuestrua ditën e sotme Gentian Sharrës dhe babait të tij

-1 vilë luksoze në lagjen Katund i Ri, Elbasan, biznes fason dhe tokë arë;

-Truall dhe ndërtesë, me sipërfaqe 120 m2, në lagjen Katund i Ri, Elbasan, në pronësi të Gentian Sharra;

-Tokë arë me sipërfaqe 15680 m2 dhe ndërtesë me sipërfaqe 119.8 m2, në lagjen Katund i Ri, Elbasan, në pronësi të shtetasve Mustafa Sharra dhe Gentian Sharra;

-Tokë arë me sipërfaqe 3533 m2, në lagjen Katund i Ri, Elbasan, në pronësi të Mustafa Sharra dhe Gentian Sharra;

-Pasuri tokë arë me sipërfaqe 4170 m2, në lagjen Katund i Ri, Elbasan, në pronësi të Gentian Sharra;

-Pasuri tokë arë me sipërfaqe 4050 m2, në lagjen Katund i Ri, Elbasan, në pronësi të Mustafa Sharra.

-Pasuri tokë arë me sipërfaqe 3533 m2, truall me sipërfaqe 208.1 m2 dhe ndërtesë, në lagjen Katund i Ri, Elbasan, në pronësi të Gentian Sharra.

-Pasuri tokë arë me sipërfaqe 394 m2, në lagjen Katund i Ri, Elbasan, në pronësi të Mustafa Sharra dhe Gentian Sharra.

Gjithashtu janë sekuestruar 4 automjete në pronësi të shtetasit Gentian Sharra dhe të familjareve të tij.

Vijon puna për evidentimin e të gjitha pasurive dhe për dokumentimin e plotë ligjor të tyre, në zbatim të ligjit Nr. 10192, datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave prarandaluese kundër pasurisë”.

/Abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!