“Sundimi i ligjit mbetet gur themeli”, Sassoli: Të vendosur në procesin e zgjerimit të BE-së

schedule19:03 - 28 Janar, 2020

schedule 19:03 - 28 Janar, 2020

Parlamenti Europian bashkon forcat me Komisionin Europian për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe çuarjen përpara të procesit të zgjerimit të Bashkimit Europian.

Presidenti i këtij institucioni, David Sassoli ftoi kryetarët e parlamenteve të Ballkanit në një samit për Ballkanin në Bruksel, ku morën pjesë edhe përfaqësues të presidencës kroate. Në deklaratën e përbashkët të Samitit, pika më e rëndësishme është thirrja drejtuar Këshillit Europian për një mesazh politik të qartë dhe pozitiv për hapjen e negociatave të anëtarësimit dhe dhënien e statusit të kandidatit për vendet e përfshira në proçesin e zgjerimit të BE-së.

“Në Parlament ka një vullnet shumë të madh për procesin e zgjerimit të BE-së. Ne jemi përballur me pengesa gjatë vlerësimit të 3 ndër 28 shteteve anëtare dhe një gatishmëri të madhe të Parlamentit dhe Komisionit Europian për të ecur përpara. Shpresoj që kjo vendosmëri të mund të kthehet në fillim të hapjes së negociatave të anëtarësimit me këto vende dhe bashkëpunim frytdhënës me të tjerë”, deklaroi presidenti i PE-së, David Sassoli.

Vetë presidenti Sassoli theksoi se kjo qartësi duhet të vijë së pari si një dritë jeshile për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Besoj se në muajt e ardhshëm ka një mundësi për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, tha ai.

Në deklaratën e përbashkët thuhet, se Samiti i Zagrebit mund të luajë një rol kryesor në rivendosjen e besueshmërisë së politikës së zgjerimit. Aty konfirmohet angazhimi i parlamenteve të Ballkanit për të marrë pjesë në reflektimet për një “qasje të përtërirë” për zgjerimin. Konkretisht, për ta bërë këtë proces më demokratik, më transparent dhe më të afërt me qytetarët dhe shoqërinë civile, ku sundimi i ligjit mbetet gur themel. Në deklaratë, thuhet, se parlamentet e Ballkanit përkushtohen të punojnë së bashku për të forcuar demokracinë parlamentare dhe dimensionin parlamentar të procesit të zgjerimit, si dhe për të thelluar kulturën parlamentare të bazuar në ndërtimin e konsensusit përmes një dialogu të hapur, gjithëpërfshirës dhe jo-konfrontues. Deklarata e përbashkët bën thirrje edhe për asocimin e plotë të 6 vendeve të Ballkanit në konferencën për të ardhmen e Evropës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!