Kryeministri britanik Rishi Sunak ka deklaruar se asgjë nuk do ta ndalojë për dërgimin e azilkërkuesve në Ruandë. Parlamenti ka miratuar planin për të parandaluar emigrantët të kalojnë Kanalin Anglez me varka të vogla.
Disa orë pas miratimit të projektligjit, një gazetë franceze raportoi se të paktën pesë emigrantë kishin vdekur në përpjekje për të kaluar Kanalin Anglez.
Dhjetëra mijëra emigrantë, shumë të zhvendosur nga luftërat dhe varfëria në Afrikë , Lindjen e Mesme dhe Azi kanë mbërritur në Britani vitet e fundit duke kaluar Kanalin Anglez me varka të vogla në udhëtime të rrezikshme.
Britania ka kërkuar për dy vjet që të deportojë disa nga ata që mbërrijnë me shpresën se kjo do të frenojë fluksin e emigrantëve. Qeveria argumenton se kalimet rrezikojnë shumë jetë dhe shfrytëzohen nga bandat kriminale si një mjet pasurimi.
“Fokusi ynë tani është ndalimi i emigrantëve dhe jam i qartë se asgjë nuk do të pengojë ta bëjmë këtë dhe të shpëtojmë jetë,” tha Sunak në një deklaratë.
Sapo projektligji të marrë miratimin përfundimtar në një votim, gjatë javës, qeveria do të jetë e lirë të ndalojë azilkërkuesit, një veprim që do të shkaktojë reagime të mëtejshme nga grupet humanitare dhe aktivistët që thonë se Ruanda nuk është një destinacion i sigurt.
/abcnews.al