Sulmoi me grusht Berishën në protestë, si paraqitet gjendja shëndetësore e autorit

schedule11:29 - 7 Dhjetor, 2022

schedule 11:29 - 7 Dhjetor, 2022

Gert Shehu, 31-vjeçari që sulmoi me grusht liderin e Partisë Demokratike, Sali Berisha vijon të jetë i shtruar në spitalin e Traumës në Tiranë.

Shehu u godit dje nga truprojat e Berishës, pasi sulmoi këtë të fundin me grusht në fytyrë duke i shkaktuar gjakderdhje nga hundët dhe nxirje në sy.

Gazetarja e Abc Gerta Vasku, raporton se sipas mjekëve 31-vjeçari ka fraktura në kokë. Gert Shehu është jashtë rrezikut për jetën.

Në varësi të rezultateve të skanerit, mjekët do të vendosin nëse Shehu do të vijojë qëndrimin në spital, apo nëse do të shoqërohet në burg. Gjithashtu mjekët thonë se 31-vjeçari qendron o heshtur. Ndonëse Prokurorët kanë tentuar t’i marrin dëshmi 31-vjeçarit, ai nuk ka dhënë asnjë deklaratë.

Lexo edhe: FOTO/ Goditi Berishën me grusht, i ënjtur dhe me pranga në duar, dhunuesit i komunikohet arrestimi në spital

Policia e Tiranës njoftoi dje zyrtarisht se 31-vjeçari Shehu është person me precedent kriminal , për plagosje, prishje të qetësisë publike dhe në fushën e narkotikëve. Gjithashtu, sipas diagnozës klinike, të vënë në dispozicion nga familjarët, ai vuan nga çrregullime psikotike dhe trajtohej prej vitesh.

Por pas mbylljes së protestës, ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se vërtetimi mjeko-ligjor është i falsifikuar dhe agresori është agjenti policisë kriminale dhe është përdorur nga qeveria për ta sulmuar. Burime nga spitali i Traumës bëjnë me dije se, Shehu ka hematoma dhe krisje të kockës së hundës.

Kryeministri Edi Rama ka dënuar dhunën e ushtruar ndaj liderit të partisë demokratike dhe ka kërkuar që autori të përballet me forcën e ligjit.
Sulmin e dënoi dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Lulzim Basha theksoi se dhuna është vetëm tregues i një vendi pa zgjedhje të lira, pa drejtësi, pa demokraci.

Edhe ambasada amerikane në Tiranë është shprehur e skandalizuar për sulmin fizik ndaj Berishës teksa ka kërkuar nga autoritetet ta hetojnë incidentin.
Burime nga policia bëjnë me dije se, gjatë marrjes në pyetje, 31-vjeçari ka deklaruar se pasi ka dalë nga banesa ka shkuar në Xhami e më pas është drejtuar në selisë e partisë demokratike për të pritur daljen e kreut të saj Sali Berisha për ta qëlluar me grusht.

Në dëshminë përballë uniformave blu, i riu është shfaqur në kushte të rënduara psikologjike teksa është shprehur se shkak për sulmin është bërë djali i dajës që sipas tij, ka qenë punonjës tek Demontimi i armëve në Gerdec dhe ditën ku ka ndodhur shpërthimi ka shpëtuar pasi ka pasur provim./abcnews.al/