Me plot 10 vite burg është dënuar Ashley Smith, një nga agresorët që sulmoi dy futbollistët e Arsenalit, Sead Kolasinac dhe Mesut Ozil. Smith është njohur sot me dënimin e rëndë nga Gjykata, me akuzën tentativë grabitje. Smith ka marrë dënimin maksimal, ndërsa agresori tjetër, Jordan Northover, që ishte shoferi i motoçikletës, do të mësojë brenda disa orëve dënimin përfundimtar.
NGJARJA E KORRIKUT – E gjithë ngjarja ndodhi përpara shtëpisë së Kolasinac. Ozil kishte ndaluar aty të takonte mbrojtësin boshnjak dhe në atë moment dy persona kanë tentuar ta sulmojnë. Mesfushori ka hyrë në mjet, kurse lojtari tjetër i Arsenal është përplasur me grabitësit.
Më pas ai ka hipur në makinë dhe janë larguar nga vendngjarja. Historia nuk u mbyll me kaq, pasi lojtarët e “Topçinjve” janë ndjekur me motor. Ata kanë goditur makinën me mjete të forta dhe pas 15 minutash Ozil ka ndaluar makinën pranë një restoranti turk, ku është mbrojtur nga stafi. Ngjarja më pas është raportuar në polici dhe vijuan hetimet. /abcnews.al