Personi i dënuar me 30 vjet në një burg federal për sulmin me çekiç ndaj bashkëshortit të ish kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, u dënua të martën me burgim të përjetshëm, pa mundësinë e lirimit me kusht pas një gjyqi të veçantë shtetëror.
Në muajin qershor, një juri në San Françisko e shpalli fajtor të pandehurin David DePape nën akuza ku përfshihen edhe rrëmbimi me dhunë dhe sulmi ndaj një anëtari të familjes së një zyrtari federal.
Përpara shpalljes së dënimit të sulmuesit DePape me burgim të përjetshëm në akuzën për rrëmbim, gjykatësi Harry Dorfman hodhi poshtë argumentet e avokatëve mbrojtës për një gjykim të ri shtetëror për sulmin e vitit 2022 ndaj Paul Pelosit, i cili në atë kohë ishte 82 vjeç.
“Qëllimi im është që zoti DePape të mos dalë kurrë nga burgu, ai kurrë nuk mund të lirohet me kusht”, tha gjykatësi Dorfman ndërsa shpalli dënimin. “Unë nuk ndjej simpati për ju. Ndjej simpati për viktimën në këtë rast, i cili është me fat që është gjallë”, tha më pas gjykatësi.