TIRANË- Kryeqyteti i Rusisë, Moska, u trondit nga një sulm me armë i regjistruar në sallën e koncerteve në periferi të qytetit, në të cilin mbetën të mbetur të vdekur 133 persona.
Kjo temë u diskutua mbrëmjen e kësaj të hëne në emisionin “360 Gradë” me gazetarin Artur Zheji. Kapiteni Artur Meçollari, tha se autorët e masakrës nga lëvizjet e kryera dëshmojnë se nuk ishin profesionistë.
Ai shtoi se kjo ngjarje tragjike dëshmoi se sistemi i sigurisë kombëtare në Rusi ka dështuar në kryerjen e detyrës.
“Nuk ishin profesionistë të mirëfilltë, ata janë të rekrutuar dhe të detyruar. Mënyra e largimit është komplet joprofesionale, pa ndërruar makinë, me atë që erdhën dhe me atë ikën. Moska është shumë e lehtë të shkohet nga ish-vendet e Bashkimit Sovjetik, sepse ekziston një marrëveshje doganore, për lëvizje të lirë. Ishte një dështim total i sigurisë kombëtare dhe i inteligjencës ruse. Nga pikëpamja njerëzore nuk i shkon përshtat askujt, por nga pikëpamja e konfliktit në Ukrainë, të dyja palët do tentojnë ta shfrytëzojnë”, tha ai.
Po ashtu ish-drejtori i Policisë, Shemsi Prençi u shpreh se ngjarja në Moskë dëshmoi se Rusia ka harruar sigurinë e brendshme, duke e përqendruar të gjithë forcën e vet në sulmet në Ukrainë.
“Akti terrorist në Moskë, nxori në pah, se Rusia e përqendruar në front për pushtimin e Ukrainës ka harruar çështjen e sigurisë kombëtare për dy arsye. Së pari tregohen se forcat vendore shkuan më 25 minuta me vonesë në një aktivitet të tillë. Fakti që edhe forcat operacionale anti-terror vajtën me 1.5 orë me vonesë në vendin e ngjarjes. Rusia mund ta shfrytëzojë këtë rast, por nuk është se ka interes të vrasë qytetarët e vet. E shfrytëzon për unifikimin e qytetarëve. Unë kurrë nuk do ta pranoj se ka dorë Ukraina”, tha ai./ n.m.abcnews.al