Sulmi ndaj “Save The Children”, 6 të vdekur dhe 24 të plagosur

schedule09:36 - 24 Janar, 2018

schedule 09:36 - 24 Janar, 2018

6 të vdekur dhe mbi 20 të plagosur është bilanci i sulmit brutal, që Shteti Islamik kreu këtë të mërkurë ndaj zyrave të “Save the Children” në Afganistan. Ndërhyrja e forcave të sigurisë për lirimin e stafit të organizatës zgjati 10 orë.

Aksioni brutal i Shtetit Islamik ndaj zyrave të “Save the Children” në Xhalalabad të Afganistanit ka lënë të paktën 6 të vdekur dhe 24 të plagosur. Pas 10 orë të shtënash dhe shpërthimesh mes forcave afgane të sigurisë dhe militantëve, autoritetet kanë mundur të bëjnë bilancin, që pritet të rëndohet.
Dhe në fakt, burime të pakonfirmuara të cituara nga mediat e huaja flasin për 11 viktima. OJQ-ja ndërkombëtare ka bërë me dije se mes viktimave janë edhe 3 anëtarë të stafit të saj dhe një ushtar. Ndërkohë, 46 persona që ndodheshin në ndërtesë janë shpëtuar nga forcat zyrtare.
Gjithçka filloi në 9:10, me orën lokale, kur një kamikaz u hodh në erë përpara ndërtesës ku ndodhen zyrat e organizatës. Shpërthimi i fuqishëm u krye me një autobombë dhe pasoi me hyrjen e disa personave të armatosur në godinë, të cilët pasi kërcënuan stafin zunë vend brenda saj.
Në vendin e ngjarjes mbërritën forcat e policisë, në mbështetje të të cilave erdhën edhe komandot afganë, që u angazhuan në një shkëmbim zjarri që zgjati deri në pasditen e vonë, disa orë pasi autoritetet kishin deklaruar se beteja kishte përfunduar. Në një mesazh të orëve të fundit, zëdhënësi i guvernatorit të provincës afgane deklaroi se 5 rebelët e përfshirë në sulm kanë mbetur të vrarë, duke ndryshuar variantin e mëparshëm se agresorët ishin 6.
Ndërsa Shteti Islamik, përmes një mesazhi në organet e tij mediatike, ka marrë përsipër përgjegjësinë e sulmit dhe ka deklaruar se ka vënë në shënjestër institucionet britanike, suedeze dhe ato afgane. Ndërkohë, vetë “Save the Children” ka deklaruar se ka pezulluar përkohësisht programet e saj në Afganistan./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!