Sulmi ndaj pjesëtarëve të komunitetit kurd në Paris, autori u nis me synimin për të vrarë imigrantë

schedule20:47 - 25 Dhjetor, 2022

schedule 20:47 - 25 Dhjetor, 2022

Autoritetet franceze thonë se personi i cili dyshohet se vrau të premten tre pjestarë të komunitetit kurd në Paris, u ka thënë hetuesve, se ai ishte nisur atë mëngjes me synimin për të vrarë imigrantë ose të huaj, e më pas veten.

Gjatëdhjetë e nëntë vjeçari, vrau tre persona jashtë një qendre kulturore kurde dhe plagosi tre të tjerë. Ishte një prej të plagosurve që kishte arritur ta çarmatoste atë tha të dielën zyra e prokurorit të Parisit.

I dyshuari për sulmin me armë zjarri, u ndalua në vendngjarje dhe u dërgua të shtunën në një spital psikiatrik. Emri i tij nuk është bërë i ditur. Ai pritet të përballet me akuza për vrasje me motive raciste, e tentativë për vrasje.

Në një deklaratë të dielën, zyra e prokurorit tha se i dyshuari u kishte thënë hetuesve se një vjedhje në vitit 2016, në shtëpinë e tij, kishte shënuar një pikë kthese për të, duke ndezur atë çka ai e quajti “urrejtje ndaj të huajve, plotësisht patologjike”.

Sulmi me armë zjarri në një lagje të populluar të Parisit tronditi e zemëroi komunitetin kurd, që u hodh në protesta, të cilat u shoqëruan edhe me përplasje të dhushme me policinë.

Ngjarja ka krijuar shqetësime lidhur me krimet me bazë urrejtjen në një kohë kur zërat e ekstremit të djathtë kanë fituar peshë në Francë dhe në mbarë Evropën.

I dyshuari u tha hetuesve se nuk i njihte viktimat, të cilën i përshkroi të gjithë si “të huaj, joevropianë” e armiq të tij, thuhet në një deklaratë të prokurorisë.

Dy nga të plagosurit janë ende të shtruar në spital me lëndime në këmbë.

Hetuesit po shqyrtojnë kompjuterin dhe telefonin e autorit të sulmit, por nuk kanë gjetur ndonjë lidhje të konfirmuar të tij me grupe që përfaqësojnë ideologji ekstremiste. /VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!