Sulmi ndaj Kapitolit më 6 janar dhe zgjedhjet për president

schedule15:07 - 17 Qershor, 2024

schedule 15:07 - 17 Qershor, 2024

Më 6 janar 2021, godina e Kapitolit të Shteteve të Bashkuara u sulmua nga mbështetësit e ish-presidentit Donald Trump që kundërshtonin humbjen e tij në zgjedhjet e vitit 2020. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Dora Mekouar, njofton se në ripërballjen e tyre këtë vit, ish-presidenti Trump dhe presidenti Joe Biden po bëjnë fushatë me konkluzionet e nxjerra nga dhuna e 6 janarit.

Dhuna e 6 janarit 2021 është qendrore në përpjekjet e ish-presidentit Donald Trump për t’u rizgjedhur.

Ai çeli një aktivitet elektoral me një këngë nga të dënuarit e asaj dite.

“I dëgjuat pengjet që këndonin. Ishin pengjet. Pengjet e 6 janarit i quaj unë”, tha zoti Trump.

Turma brohoriti kur ish-presidenti Trump iu referua pjesëmarrësve në 6 janar si patriotë dhe pengje dhe jo si të dënuar për vepra penale.

“Nën udhëheqjen e Joe Biden-it, patriotët amerikanë po arrestohen dhe po mbahen në robëri si kafshët”, tha ai.

Në këngën që ish-presidenti Trump regjistroi me “Korin e Burgut të 6 janarit”, ai thotë formulën e betimit për besnikërinë ndaj Shteteve të Bashkuara.

“Është e pavend të përdoret formula e betimit për të mbrojtur ata që sulmuan Kapitolin. Prandaj mendoj që kritikët kanë të drejtë për këtë. Sigurisht që justifikimi, apo shpjegimi, i Donald Trump-it do të ishte se në fakt këta persona janë patriotë të vërtetë”, thotë Jennifer Mercieca, profesore për komunikimin në Universitetin Texas A&M.

“Do t’i trajtojmë me drejtësi. Dhe nëse do të duhen falje, do t’ua japim”, tha ish-presidenti Trump.

Fushata elektorale e presidentit Biden përmend gjithashtu 6 janarin, por jo si patriotizëm, por si një rrezik për demokracinë.

“Ata ishin rebelë, jo patriotë. Nuk dolën për ta mbrojtur Kushtetutën; dolën për ta shkatërruar Kushtetutën… Nëse rizgjidhet, ai do të falë çdonjërin prej tyre… Sulmi i Trump-it ndaj demokracisë nuk është vetëm diçka e së shkuarës. Është çfarë po premton për të ardhmen”, tha presidenti Biden.

Se si dhuna e vitit 2021 do të ndikojë tek zgjedhjet e këtij viti, varet nga perceptimi i secilit, thotë shkencëtari politik Chris Edelson, nga Universiteti Amerikan.

“Disa njerëz marrin energji nga 6 janari. Disa të tjerë tmerrohen”, thotë ai.

Si ish-presidenti Trump, ashtu edhe presidenti Biden, po e përdorin 6 janarin si një paralajmërim se çfarë mund të ndodhë nëse personi i gabuar fiton në zgjedhje. /VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!