Sulmi i Izraelit ndaj Iranit në orët e para të së premtes pritej nga analistët perëndimorë, por po shkakton shqetësim të madh në Uashington dhe Londër pasi e çon rajonin më afër luftës së gjithanshme.
“Pas sulmit iranian ndaj Izraelit më 13 prill, i cili ishte një përgjigje ndaj sulmit izraelit në konsullatën iraniane, Tel Avivi e bëri të qartë se do të përgjigjet gjithashtu.
Po atë natë, Joe Biden i kërkoi Benjamin Netanyahun që të most ë hakmerrej menjëherë, duke e paralajmëruar atë se Amerika nuk do të mbështeste apo merrte pjesë në asnjë sulm ndaj Iranit.
Presidenti amerikan thuhet se e këshilloi liderin izraelit që ta shihte incidentin si një fitore të madhe për vendin e tij përmes mbrojtjeve ajrore çuditërisht efektive, të cilat kufizuan ndikimin e sulmeve iraniane në një avion të rrëzuar dhe dëme materiale në një pistë.
Megjithatë, kjo këshillë nuk u dëgjua nga të gjithë bashkëpunëtorët e Netanyahu. Këshilli i luftës i Izraelit që atëherë ka qenë i bllokuar në negociata mbi kohën, madhësinë dhe vendndodhjen e një reagimi ushtarak.
Për disa pacifistë në qeverinë izraelite, rreziku i një lufte gjithëpërfshirëse me Iranin ishte shumë i madh.
Teherani është zotuar të hakmerret në të njëjtën mënyrë nëse ndonjë sulm kryhet në tokën e tij, duke i zhytur të dy vendet në një cikël hakmarrjeje që do të përshkallëzonte situatën jashtë kontrollit të secilit shtet.
Por për “skifterët” izraelitë, provokimi i një sulmi të drejtpërdrejtë me raketa dhe dronë në tokën e tyre, pas muajsh mbështetjeje iraniane ndaj grupeve islamiste, ishte pika e fundit.
Netanyahu tani ka bërë atë që Biden, liderët e tjerë të G7 dhe OKB-ja e paralajmëruan të mos e bënte.
Ai provokoi më tej një fuqi rajonale armiqësore dhe të paparashikueshme me aftësi të pasigurta bërthamore.
Për vite me radhë, Irani dhe Izraeli kanë qenë në një gjendje lufte të ftohtë, të nxitur nga mbështetja e Teheranit për armiqtë e Izraelit pranë kufijve të tij.
Por ngjarjet që ndodhën në orët e para të mëngjesit të së premtes e bëjnë luftën e hapur mes dy vendeve një mundësi realiste për herë të parë.
Ndryshe nga konfliktet e tjera të fundit në Lindjen e Mesme, një luftë midis Iranit dhe Izraelit do të sillte dy nga superfuqitë e rajonit në konflikt të drejtpërdrejtë. Ekziston gjithashtu shqetësim për marrëdhëniet e vazhdueshme midis Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara, të cilat janë gjithnjë e më kritike ndaj strategjisë së Netanyahut në Gaza dhe gatishmërisë së tij për të sulmuar Teheranin.
Deri më tani, rëndësia e marrëdhënieve të Izraelit me SHBA-në e ka penguar Netanyahun të bëjë atë që ndoshta i thonë instinktet e tij, që është të luftojë sa më fort kundër Iranit dhe përfaqësuesve të tij në rajon.
Rreziku për paqen në të gjithë Lindjen e Mesme është tani më i madh se kurrë. Në Uashington, si në Tel Aviv, liderët tani presin me ankth të shohin se çfarë do të bëjë Irani më pas.
/abcnews.al