Sulmi me armë në Deçan, kryeprokurori: Janë disa pista hetimi. Policia: Jo akt terrorist

schedule23:28 - 26 Nëntor, 2021

schedule 23:28 - 26 Nëntor, 2021

KOSOVË- Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale Blerim Isufaj deklaron se po punojnë në drejtim të zbardhjes së sulmit ndaj autobusit në Deçan ku u vranë tre persona, dy prej tyre nxënës. Ai tha se po hetojnë në disa pista.

Deri tash informatat që ne posedojmë janë tri viktima. Është shoferi i një autobusi dhe dy nxënës. Një është i plagosur. Ka pista të ndryshme të hetimit. Për momentin nuk kemi motiv të caktuar dhe nuk kemi më shumë informata. Jemi duke punuar”, tha Isufaj për mediet kosovare.

Nuk mundem me thënë tash për numrin e personave të dyshuar, veçse jemi duke punuar në drejtim të identifikimit të kryrësve të mundshëm të këtij rasti tepër tragjik. Është shumë herët me fol diçka për këtë sepse nuk dëshirojmë të spekulojmë por jemi duke punuar në këtë drejtim“, theksoi ai.

Kurse zëvendësdrejtori i Policisë Rajonale të Pejës, Veton Elshani, ka deklaruar se dyshimet e para bazuar në hetime, tregojnë se sulmuesi i autobusit mund të ketë qenë i vetëm e ndërsa përjashtoi mundësinë e ndonjë akti terrorist.

“Nuk mendohet e as bëhet fjalë për ndonjë akt terrorist. Nuk ka aso lajme që mund të qarkullojnë. Bëhet fjalë për ngjarjen tronditëse, vrasje të trefishtë dhe një të plagosur në gjendje stabile në spital. Kemi angazhuar të gjitha njësitet elite, njësiti me qen, specialët dhe shumë shpejt bashkohet edhe Prishtina, që nga Drejtori i Përgjithshëm. Kaq mund të them”, tha Elshani.

Autobusi me nxënës shkolle ka rënë pre e një sulmi me armë në fshatin Gllogjan në komunën e Deçanit në Kosovë.  Nga të shtënat me armë kanë mbetur të vdekur tre persona; dy nxënës dhe shoferi i autobusit. Disa persona të tjerë që udhëtonin me autobus kanë mbetur të plagosur dhe janë dërguar në spital.

Shkaqet e kësaj ngjarje të rëndë nuk dihen ende. Në vendngjarje kanë shkuar forcat e policisë dhe të ambulancës. Sipas Policisë së Kosovës, autobusi ishte nisur nga Gjakova për në Deçan. be.k/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!