Presidenti dhe qeveria shqiptare kanë reaguar një zëri ndaj sulmit iranian mbi Izraelin duke e dënuar atë dhe duke u rreshtuar kështu në vijën diplomatike të shteteve më të fuqishme të botës.
Kreu i shtetit, Bajram Begaj tha se “Shqipëria dënon ashpër sulmin e paprecedentë të Iranit ndaj Izraelit dhe shpreh shpresën se nuk do të ketë përshkallëzim të mëtejshëm”.
Presidenti shton se “Çdo përshkallëzim i mëtejshëm mund të rrezikojë paqen dhe sigurinë në Lindjen e Mesme dhe të ketë efekte të pakthyeshme në një shkallë më të gjerë.”
Sulmet i dënoi edhe Ministri i jashtëm Hasani në platformën X.
“Shqipëria dënon ashpër sulmin e Iranit ndaj Izraelit”,-shkroi ai, duke ju kërkuar shtetasve tanë të kenë kujdes.
“Këshillojmë shqiptarët në këtë rajon, të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale për përditësimet e sigurisë publike dhe të kontaktojnë ambasadat tona për ndihmë,”-tha Hasani.
Ministri e jashtme ka publikuar edhe numrat e telefonit me të cilët shqiptarët që jetojnë në Izrael apo në rajonin përreth mund të kërkojnë ndihmë.