Manchester United sërish përballë Liverpool. Klasikja e futbollit anglez përfundoi në barazim pa gola në “Anfield” më datë 17 janar, teksa nesër (18:00) do të jetë radha e duelit të FA Cup.
Kësaj radhe luhet në “Old Trafford”, përballje për një biletë në raundin e 1/8. Trajneri i United, Ole Gunnar Solskjaer është ndalur te reparti i sulmit gjatë konferencës për shtypin.
“Më pëlqen shumë sulmi ynë, pasi kemi një miks shumë të bukur talentesh me Rashford, Martial dhe Greenwood, si edhe eksperiencën e Cavanit. Është kënaqësi t’i shijosh në stërvitje.
E plotësojnë njëri-tjetrin në fushën e blertë, pasi kanë karakteristika të ndryshme. Rashford ka shënuar rreth 15 gola këtë sezon, ndërsa prisni gola të tjerë nga Martia, Greenwood dhe Cavani.
Ky i fundit do të na ndihmojë shumë. Edinson ka një eksperiencë të madhe dhe një gjë e tillë është thelbësore për skuadrën tonë“, thekson trajneri norvegjez. /abcnews.al