Kryeministri Edi Rama dhe të zëvëndësi i tij Erion Braçe kanë vënë në qendër të akuzave sistemin e drejtësisë duke sulmuar ashpër prokurorët dhe gjyqtarët. Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë, kanë reaguar pas akuzave publike të Kryeministrit Rama në Parlamement duke i cilësuar gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar si grup kriminal me emërtimin KÇK, kap çtë kapësh.
Shoqatat i cilësojnë akuzat e Ramës si kërcënim ndaj pavarësisë së pushtetit gjyqësor, duke minuar besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë.
Kreu i qeverisë deklaroi nga foltorja e kuvendit se po hartohet një ligji të ri për prokurorët dhe gjyqtarët që janë ende në sistemin e drejtësisë, që sipas tij do të shkarkohen, pasi janë duke bërë kërdinë me vendime absurde e të diktuara nga krimi dhe korrupsioni.
Kryeministri u shpreh se kjo kategori gjyqtarësh dhe prokurorësh janë si organizata kriminale me imunitet kushtetues”. Sipas tij organizata të tilla kriminale (Kap çfarë të kapësh) ‘KÇK’ duhet të shpallen në kërkim.
Kreu i ekzekutivit pas lëshimit të akuzave të ashpra kundrejt Prokurorit të Durrësit Arjan Ndoji që arrestoi kreun e kadastrës së Durrësit Lirirond Pula dhe me pas u la në burg nga gjykata, ka sulmuar edhe një gjykatare në Gjirokastër që sipas tij i kishte dhënë urdhër mbrojtje një burri që kishte dhunuar gruan. Shoqata dhe Unioni i kanë cilësuar këto deklarime si qendrime agresive e të adresuara gabim.
Ata ftojnë Këshillin e Lartë Gjyqësor, si institucioni i ngarkuar për garantimin e pavarësisë dhe përgjegjshmërisë së pushtetit gjyqësor si dhe partnerët ndërkombëtarë, të mbajnë qëndrimet e tyre në lidhje me akuzat e bëra publikisht nga Rama.
Për akuzat ndaj prokurorit ka reaguar më herët dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë duke i cilësuar sulmet e drejtuesive të lartë të qeverisë si paragjykime për ecurinë dhe përfundimin e një procesi gjyqësor. /ABC News Albania 24/7