Sulmi i Metës ndaj kreut të SPAK, KLP: Dënojmë çdo veprim fyes dhe intimidues ndaj prokurorëve

schedule19:48 - 16 Prill, 2024

schedule 19:48 - 16 Prill, 2024

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka dënuar sulmin e kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta ndaj kreut të SPAK Altin Dumani. Në një reagim zyrtar, KLP shprehet se dënon me forcë veprimet fyese dhe intimiduese që kanë për qëllim denigrimin e figurës së prokurorëve apo të ushtrojë presion ndaj tyre.

Meta hodhi akuza ndaj Dumanit se është takuar me ish agjentin e FBI-së, Charles McGonigal, akuza të cilat drejtuesi i SPAK i cilësoi si të pabaza. Ilir Meta nuk e frenoi dozën e akuzave ndaj Altin Dumanit, pasi e etiketoi kreun e SPAK-ut edhe si kushëri të një personazhi të botës së krimit, Nuredin Dumanit.

Reagim i Këshillit të Lartë të Prokurorisë:

Këshilli i Lartë i Prokurorisë si organ qeverisës e kushtetues i sistemit të akuzës, ndjek me vëmendje çdo reagim publik lidhur me punën e institucionit të prokurorisë dhe në veçanti të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Në këtë kuadër, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka ndjekur me shqetësim ditët e fundit, deklaratat e subjekteve të veçanta në mediat audio vizive dhe ato elektronike, lidhur me prokurorët e Prokurorisë së Posaçme pranë (SPAK) dhe kreut të saj.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë, dënon çdo gjuhë urrejtje, shprehje, veprim fyes dhe intimidues që synon të denigrojë në mënyrë të padrejtë figurën e prokurorëve apo të ushtrojë presion ndaj tyre, duke i bërë thirrje gjithkujt të mos cenojë në asnjë mënyrë punën profesionale të prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme.

Çdo subjekt i përfshirë në veprimtarinë ligjore të prokurorisë, ka të drejtë të paraqesë çdo pretendim, ankesë apo kundërshtim në Gjykatën kompetente të parashikuar nga ligji për dhënien e drejtësisë. Kjo, në një shtet demokratik, është e vetmja mënyrë për të arritur tek e vërteta.

Në të njëjtën kohë Këshilli mbështet pa rezerva veprimtarinë ligjore të çdo prokurori të sistemit të prokurorisë, duke i inkurajuar ata të vijojnë të ushtrojnë me kompetencë dhe pavarësi të plotë funksionin e tyre për ngritjen dhe përfaqësimin e akuzës ndaj kujtdo, në emër të shtetit shqiptar, të pa ndikuar nga askush./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!