TIRANË– Eksperti i sigurisë Xhavit Shala, i ftuar në emisionin “360 gradë” në ABC News me gazetarin Artur Zheji foli mbi sulmin e të dielës ku u shkatërruan të 40 avionëve rusë nga Ukraina.
Ai theksoi se ky operacion ka qenë i përkryer dhe tregoi dështimin e tretë të inteligjencës ruse të këtyre përmasave.
Gjatë diskutimit në studio, eksperti theksoi se duket që ky operacion ka marrë shumë kohë për t’u realizuar me sukses.
“Ky operacion tregoi që ukrainasit kanë nivel të lartë në planifikim, në organizim dhe në ekzekutimin e operacioneve ushtarake. Ka qenë një operacion i përkryer, siç vlerësohet në lindje dhe në perëndim nuk ka të dytë, nuk ka ndodhur një i dytë deri më sot, në periudhën e luftës moderne.
Është një operacion që ka marrë shumë kohë për tu përgatitur, është një operacion që tregon dështimin e tretë të inteligjencës ruse të këtyre përmasave. Dështimi i parë i inteligjencës ruse në këndvështrimin tim ishte ai në momentin e sulmit në Ukrainë që menduan që nuk do të ketë reagime, se do ta pushtonin kollaj fare dhe pastaj përfundoi ashtu si përfundoi.
Dështimi i dytë ishte sulmi në Kursk, ndërhynë 10 mijë forca dhe nuk doli sekreti dhe u arrit u pushtua Kurski për një periudhë jashtëzakonisht shumë të shkurtër”, theksoi eksperti./abcnews.al