Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiç, ka deklaruar se ekstradimi në Kosovë i ish-nënkryetarit të Listës Serbe, Millan Radoiçiq, është i pamundur.
“Të gjitha proceset gjyqësore do të zhvillohen para gjykatave vendase”, u shpreh ai.
INTERPOL-i ka lëshuar ditë më parë një urdhër për arrestimin e Radoiçiqit, për shkak të sulmit të armatosur në Banjskë, në komunën e Zveçanit, në Kosovë.
Lajmin për këtë fletarrestim e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë ministri i Qeverisë së Kosovës, Nenad Rashiq, duke thënë se ai është lëshuar me kërkesë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, përmes Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë – UNMIK.
Më 24 shtator, një grup i armatosur i serbëve sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë, në veri të Kosovës, dhe vrau rreshterin Afrim Bunjaku. Më pas, në shkëmbimin e zjarrit mbetën të vrarë tre sulmues serbë.
Radoiçiq mori përgjegjësinë për sulmin në Banjskë, duke pohuar se ai “personalisht” e ka organizuar sulmin dhe të gjitha përgatitjet logjistike, dhe se nuk ka informuar askënd për ato plane.
Kosova akuzoi Serbinë se qëndron pas sulmit, gjë që Beogradi zyrtar e mohon.
“Pa Asociacionin nuk ka diskutim për planin franko-gjerman”
Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, po ashtu, deklaroi se “nuk do të ketë diskutim për zbatimin e planit franko-gjerman” derisa të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Daçiq tha se shpreson që plani franko-gjerman të mos bëhet pjesë e negociatave të kapitullit 35 me Bashkimin Evropian (BE).
“Shpresojmë që të mos arrihet deri te kjo, sepse është në kundërshtim me pikëpamjet e vendeve që nuk e njohin Kosovën. Nëse plani franko-gjerman bëhet pjesë e kapitullit 35 negociues, do t’i bëjë negociatat me BE-në shumë më të vështira”, tha ai.
Kapitulli 35 i negociatave të anëtarësimit ndërmjet Serbisë dhe Bashkimit Evropian përfshin marrëdhëniet me Kosovën.
Në draftin në pritje të miratimit, thuhet se BE-ja do t’i bëjë thirrje Komisionit Evropian (KE) të ndryshojë kriteret për Kapitullin 35 në negociatat e anëtarësimit me Serbinë më së voni në janar 2024, që nënkupton përfshirjen e detyrimeve nga marrëveshja për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, në kuadrin negociator për Serbinë./rel/