Sulmi ajror me pesë të vrarë në Siri, presidenti iranian paralajmëron Izraelin: S’do të mbetet pa përgjigje

schedule22:36 - 20 Janar, 2024

schedule 22:36 - 20 Janar, 2024

Presidenti iranian, Ebrahim Raisi paralajmëroi Izraelin duke thënë se sulmi ajror në kryeqytetin sirian që vrau pesë anëtarë të lartë të forcave ajrore iraniane nuk do të mbesë pa përgjigje.

Izraeli nuk ka komentuar por për vite me radhë ka kryer sulme ndaj objektivave të lidhura me Iranin në Siri. Sulme të tilla janë intensifikuar që kur filloi lufta Izrael-Gaza pas sulmeve të Hamasit në Izrael më 7 tetor.

Raisi u zotua të hakmerrej për personat që humbën jetën dhe e përshkroi sulmin si një “vrasje frikacake të pesë prej këshilltarëve më të shquar të Iranit”. Ai e përshkroi sulmin si “terrorist dhe kriminal” dhe tha se “tregon lartësinë e dëshpërimit dhe dobësisë [të Izraelit] kundër luftëtarëve të frontit të rezistencës”.

“Nuk do të mbetet pa përgjigje”, shtoi më tej ai. Ministria e Jashtme e Iranit tha se sulmet ishin një akt “agresiv dhe provokues” nga Izraeli, duke u bërë thirrje aktorëve ndërkombëtarë t’i dënojnë ato.

Figura të larta në mesin e Gardës Revolucionare iraniane – një forcë e madhe ushtarake, politike dhe ekonomike në Iran – kanë qenë të pranishme në Siri që nga fillimi i luftës civile atje në vitin 2011, duke ndihmuar në mbështetjen e regjimit të Presidentit Bashar al-Assad kundër rebelimit të gjerë ndaj sundimit të tij.

Sulmi i së shtunës ndodhi në lagjen Mazzeh, në jug-perëndim të Damaskut, një zonë ku ndodhet një aeroport ushtarak, si dhe selia e OKB-së në Damask dhe ambasadat./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!