Shefja e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Genoveva Calavera u është përgjigjur ashpër akuzave për reformën në drejtësi në vendin tonë, e cila është sulmuar nga Presidenti Meta dhe kryedemokrati Basha se është e “kapur” nga Kryeministri Rama. Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, Calavera thekson se sulmet janë të pabaza dhe se Vettingu po trondit themelet e sistemit të korruptuar në Shqipëri.
Shefja e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Xheno-veva Ruiz Calavera u është kundërpërgjigjur ashpër akuzave për reformën në drejtësi në vendin tonë. Presidenti Ilir Meta e ka cilësuar këtë reformë si ‘Ramaformë’, ndërsa sipas kreut demokrat Lulzim Basha, drejtësia është kapur nga Edi Rama.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Calavera u shpreh e bindur se procesi i Vettingut ka dhënë një mesazh për ata që kanë abuzuar me pushtetin.
“Sulmet në rritje ndaj reformës në drejtësi, Vetting-ut dhe ONM-së, vëzhguesve ndërkombëtarë dhe misioneve tona të asistencës së BE në këtë drejtim janë shumë domethenëse. Këto pretendime janë të pabazuara dhe të papranueshme, por ne i shohim ato si një konfirmim që Vetting-u po trondit themelet e një sistemi të korruptuar. Shpresojmë që ndryshimi në gjyqësor të forcojë profesionalizmin, aftësinë dhe guximin e magjistratëve të sapoemëruar për të luftuar korrupsionin”, është shprehur shefja e ONM.
Calavera ka theksuar më tej në intervistë se procesi i vettingut për gjyqtarët dhe prokurorët po monitoret nga ndërkombëtarët dhe në asnjë rast nuk ka pasur ndërhyrje nga politika ose presione të tjera.
“Numri i madh i magjistratëve që japin dorëheqjen ose janë duke u larguar nga puna konfirmon se ky është një proces serioz për rinovimin e gjyqësorit. Janë marrë masa serioze për të siguruar ekuilibrat dhe garancitë e nevojshme për pavarësinë e organeve të vetingut, në veçanti për të siguruar mungesën e ndonjë roli vendimmarrës ose përfshirjes së nivelit politik në to. Vëzhguesit tanë ndërkombëtarë po monitorojnë nga afër çdo hap të vendimmarrjes në të gjitha rastet e vetingut. Deri më tani, nuk ka asnjë të dhënë për ndërhyrje politike ose presion tjetër të padrejtë të jashtëm apo të brendshëm”, ka theksuar Calavera në intervistën për Zërin e Amerikës.
Rivlerësimi i afro 700 prokurorëve dhe gjyqtarëve pritet të përfundojë në vitin 2026. Calavera ka deklaruar se angazhimi i operacionit ndërkombëtar të monitorimit do të jetë deri në fund të këtij procesi. Për më tepër, ajo ka bërë të ditur ONM ka dhënë kohët e fundit 42 milion euro nga fondet e BE-së në një program të ri drejtësie, që do të ndihmojë në konsolidimin e reformës./ABC News Albania 24/7