Sulmet në Zaporizhia, Rusia dhe Ukraina akuzojnë njëra-tjetrën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së

schedule10:27 - 24 Gusht, 2022

schedule 10:27 - 24 Gusht, 2022

Rusia dhe Ukraina kanë akuzuar edhe një herë njëra-tjetrën ditën e djeshme gjatë një takimi të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për situatën në termocentralin bërthamor të Zaporizhias.

“Forcat e armatosura ukrainase vazhdojnë të bombardojnë zonën e termocentralit bërthamor praktikisht çdo ditë, duke krijuar një rrezik real të një incidenti bërthamor që do të ketë pasoja shkatërruese për të gjithë kontinentin europian,” tha ambasadori rus në OKB Vassily Nebenzia, i cili kishte kërkuar mbledhjen e Këshillit.

“Ne kemi përshtypjen se kolegët tanë po jetojnë në një realitet paralel në të cilin ushtria ruse po bombardon vetë vendndodhjen që po mbron”, tha Nebenzia.

“Askush nuk mund të imagjinojë se Ukraina do të synonte një termocentral bërthamor duke krijuar një rrezik të madh të katastrofës bërthamore në tokën e saj,” iu kundërpërgjigj ambasadori ukrainas Serhii Kislitsia.

“Edhe një herë Rusia ka guximin të thërrasë një takim të Këshillit të Sigurimit për të diskutuar provokimet e veta dhe aktet e veta terroriste”, shtoi ai, duke shtuar se “kam humbur një orë duke dëgjuar një mori deklaratash të rreme”.

Të dy vendet thonë se janë gati të lejojnë një ekip inspektorësh të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) për hyrjen në centralin bërthamor, por asnjë mision nuk është planifikuar aktualisht.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!