Sulmet në veri, Kurti mbledh Këshillin e Sigurisë së Kosovës, Sveçla: Serbia do destabilitet

schedule16:22 - 25 Shtator, 2021

schedule 16:22 - 25 Shtator, 2021

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla pasditen e sotme kanë mbajtur një konferencë për mediat lidhur me sulmet në veri të Kosovës. Kurti njoftoi se ka ftuar sonte një mbledhje të këshillit të sigurisë së Kosovës.

Kryeministri tha se i ka parë avionët dhe helikopterët serbë, por nuk shprehet i befasuar, pasi shton se e njohin mirë Serbinë dhe nuk presin sjellje korrekte. “Nuk është gjithçka që e shihni në video e këtyre ditëve, jo të gjitha janë lajme të vërteta, nuk duhet të biem pre e propagandës së Serbisë. Vendimet që do të marrim do të jenë në përputhje me situatën.

Kur të bëjnë vlerësimin e situatës së sigurisë do të themi çfarë do të bëjmë. Mos harroni që në ditën e gjashtë të zbatimit të reciprocitetit, deri tani 9 mijë automjete i kanë marrë targat e përkohshme dhe nuk kanë pasur probleme, e kanë respektuar, por presidenti i Serbisë nuk po e pëlqen këtë gjë nga kolltuku i tij politik, por nga jeta praktike e qytetarëve që duan qarkullim të lirë, të njerëzve, mallra, kapitaleve, ato 4 liritë e famshme, mbi 9 mijë i kanë marrë targat dhe nuk kanë asnjë problem.

Janë parë edhe helikopter edhe avionë të prodhimit rus, ne nuk kemi pritur nga Serbia sjellje korrekte, pasi i njohim kush janë në pushtet atje, por ne vendimet i marrim në bazë të vlerësimeve të gjendjes së sigurisë. Tani jemi në këtë gjendje dhe sjellja jonë është profesionale deri në fund” tha ai.

Kurti tha se Beogradi refuzoi ofertën për dialog në Bruksel duke vendosur kushte. “Kemi pasur ofertë nga faktorët ndërkombëtarë që të shkojmë në Bruksel që të flasim në tavolinën e konsultimeve për këtë çështje. Menjëherë kemi qenë të gatshme por Beogradi ka refuzuar dhe ka filluar të vejë kushte që nuk ka se si të jenë të pranueshme”, u shpreh Kurti

Ministri i Brendshëm, Sveçla i cilësoi terroristë autorët e sulmeve dhe akuzoi Serbinë se po kërkon destabilitet. “Në një akt kriminal është djegur qendra e regjistrimit të automjeteve në Zubin Potok edhe dy bomba dore janë hedhur në Zveçan.

Dy rrugët që të çojnë në Jarinjë dhe Bërnjak janë të bllokuara. Ka presione nga Serbia për qytetarët që t’u bashkohen protestave, por këto iniciativa janë të dështuara. Me qëllim të destabilizimit të situatës janë duke përhapur informacione te rreme. Ftojmë qytetarët të mos bien pre e provokimeve” tha ministri.

/ db/Abcnews.al