Sulmet në Siri/ Reagon Perëndimi

schedule12:25 - 14 Prill, 2018

schedule 12:25 - 14 Prill, 2018

Në reagimin e parë pas sulmeve, kryeministrja britanike Theresa May ka deklaruar se ndërhyrja perëndimore në Siri përbën një mesazh të qartë për presidentin Assad. Ndërkohë, kancelarja Merkel ka ofruar mbështetje diplomatike, ndërsa Italia ka bërë thirrje për maturi.

Kryeministrja britanike Theresa May është shprehur besimplotë se sulmet e aleatëve perëndimorë ndaj impianteve të armëve kimike në Siri kanë qenë të suksesshme. Në një konferencë për shtyp, May ka deklaruar se aksioni i ndërmarrë bashkë me Shtetet e Bashkuara dhe Francën është i drejtë dhe ligjor.

“Ky aksion i përbashkët dërgon një mesazh të qartë se komuniteti ndërkombëtar nuk do të qëndrojë duarkryq dhe të tolerojë përdorimin e armëve kimike”, ka thënë May.

Por ligjshmëria e operacioneve është vënë në dyshim nga lideri britanik i opozitës, Jeremy Corbyn. “Ligjërisht është shumë e dyshimtë”, ka thënë Corbyn.

Ndërsa Ministria e Mbrojtjes ka bërë me dije se sulmet janë kryer me raketa të tipit “Stuhia e zezë”, të qëlluara nga avionët “Tornado” të forcave ajrore mbretërore.

Në mbështetje të sulmeve ka dalë edhe kancelarja gjermane Angela Merkel, e cila e ka cilësuar ndërhyrjen si “të nevojshme dhe të përshtatshme”, edhe pse më herët refuzoi të përfshinte Gjermaninë në të.

“Operacioni ushtarak ishte i nevojshëm për të ruajtur efikasitetin e ligjit ndërkombëtar kundër përdorimit të armëve kimike dhe për të paralajmëruar regjimin sirian kundër shkeljeve të mëtejshme”, ka thënë Merkel. Kancelarja ka shtuar se nga ana e saj, Gjermania do ta mbështesë ndërhyrjen me të gjitha mjetet diplomatike.

Ndërkohë, nga Italia ka reaguar kryetari i Ligës së Veriut, që pretendon të jetë kryeministri i ardhshëm i vendit. “Ndaloni. E gjitha kjo është një çmenduri”, ka thënë Matteo Salvini./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!