Presidenti amerikan, Donald Trump tha jashtë Shtëpisë së Bardhë se SHBA-të “mund të bënin shumë më keq” në Iran, pasi u pyet se çfarë duhet të bënte ushtarakisht që operacioni të përfundonte.
Sipas Trump, Irani ka humbur marinën dhe forcën ajrore, teksa shtoi se udhëheqësit iranianë janë zhdukur.
“Më shumë nga e njëjta gjë, dhe do të shohim se si do të dalë e gjitha kjo. Tani për tani, ata kanë humbur marinën e tyre, ata kanë humbur forcën e tyre ajrore. Ata nuk kanë asnjë aparat kundërajror. Ata nuk kanë radar. Udhëheqësit e tyre janë zhdukur”, tha ai.
“Dhe mund të bënim shumë më keq. Po lëmë disa gjëra që nëse i heqim, mund t’i heqim deri sot pasdite. Në fakt, brenda një ore, ata fjalë për fjalë nuk do të jenë kurrë në gjendje ta rindërtojnë atë vend”, shtoi presidenti.
Ndërkaq, inteligjenca amerikane ka treguar se lidershipi i Iranit është ende kryesisht i paprekur dhe nuk është në rrezik të rrëzohet së shpejti pas gati dy javësh bombardimesh të pamëshirshme nga SHBA-të dhe Izraeli, sipas tre burimeve të njohura me çështjen.
Disa raporte të inteligjencës ofrojnë analiza të qëndrueshme se regjimi nuk është në prag të rrëzimit dhe ruan kontrollin e publikut iranian, tha një nga burimet.
Raporti i fundit u përfundua brenda pak ditëve të fundit, sipas burimit./abcnews.al


