Sulmet ndaj impianteve saudite, identifikohen bazat iraniane nga u nisen dronët

schedule22:32 - 17 Shtator, 2019

schedule 22:32 - 17 Shtator, 2019

Administrata amerikane ka lokalizuar bazat iraniane nga u nisën dronët dhe raketat që goditën impiantet saudite të naftës. Ndërsa Uashingtoni ka përsëritur akuzat ndaj Republikës Islamike, Teherani ka deklaruar se sulmet ishin një “akt reciprok” i popullit jemenas ndaj Arabisë Saudite.

Shtetet e Bashkuara i kanë identifikuar bazat iraniane nga të cilat u nisën dronët dhe raketat “Kruis” që ditën e shtunë goditën impiantet saudite të naftës. Një zyrtar amerikan ka deklaruar se bazat ndodhen në jug të Iranit, që i bie në ekstremin verior të Gjirit të Omanit.

Sistemet saudite të mbrojtjes ajrore nuk i ndaluan dot dronët dhe raketat për shkak se ishin drejtuar për t’u mbrojtur nga sulmet nga Jemeni. Nga ana e tij, Irani vijon të mohojë përfshirjen në atentatet, që tronditën furnizimin global me naftë.

Rebelët Huthi, të mbështetur nga Irani, kanë marrë përsipër përgjegjësinë për sulmet ndaj impiantit të naftës Abkaik, më i madhi në botë dhe fushës së naftës Kurais. Ata kanë sulmuar impiantet saudite të naftës edhe më parë, por zyrtarët amerikanë thonë se sulmet e fundit kishin një shkallë të lartë sofistikimi, që nuk mund të arrihet nga rebelët.

Ndërkohë, presidenti iranian Hasan Ruhani i ka cilësuar sulmet një “akt reciprok” nga populli i Jemenit, ndërsa ajatollahu Ali Khamenei ka përjashtuar mundësinë për një takim me amerikanët.

Nga ana e saj, Arabia Saudite ka deklaruar se ka rekuperuar 50 për qind të prodhimit të naftës të humbur për shkak të sulmeve. Deklarata është bërë nga ministri i Energjisë, Abdulaziz Bin Salman, i cili ka saktësuar se shumë shpejt eksportet e arit të zi do t’i kthehen normalitetit./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!