TIRANË- Ministri i Brendshëm Bledi Çuci, në konferencën “Sfidat e sigurisë kibernetike në Shqipëri”, tha se vendi ynë ka nxjerrë mësim pas sulmeve kibernetike. Ai theksoi se sot problemi më akut është siguria kibernetike, ndaj shtoi se edhe Policia e Shtetit duhet të jetë e mobilizuar për t’iu përgjigjur sfidave që po sjellë kjo epokë e re.
“Problemi më akut është dhe që do të vijojë të jetë gjatë, siguria e informacionit dhe mbrojtja nga sulmet kibernetike. Siguria vjen e para dhe ky është çmimi që duhet të paguajmë. Pas sulmit kibernetike në sistemet e Policisë së Shtetit na u desh që të nxirrnim një mësim të mirë për t’u fokusuar gjithnjë e më shumë tek mbrojtja e sistemeve tona.”, tha ai.
Ai tha se Policia e Shtetit ka barrën e madhe që të ketë të gjitha kapacitetet e nevojshme për të garantuar të dhënat e qytetarëve.
“Kjo është në vetvete një sfidë e vazhdueshme me modernitetin, sfidë me të cilën do duhet të përballemi. Njësoj siç kemi rendur vazhdimisht për t’i bërë sistemet tona me efiçente për t’u kursyer kohën qytetareve, kemi barrën e madhe të ngremë të gjitha kapacitetet e nevojshme për të garantuar të dhënat. Për t’i shërbyer sa më mirë qytetarëve, por edhe për të ndihmuar institucione të tjera në vend si ato të drejtësisë, Policia e Shtetit ka ardhur vazhdimisht duke u modernizuar përmes adaptimit të tenkologjisë dhe sistemeve inovative dhe duke qenë të bindur se vende të vogla si Shqipëria mund të bëjnë kapërcime epokale vetëm përmes shfrytëzimit të avantazheve që krijon teknologjia”, tha ai/n.m.abcnews.al