Pas ndërprerjes së furnizimit me energji dhe ujë në rajonin e Kharkiv, forcat ruse kanë vazhduar ofensivën e tyre në qytet, këtë herë duke i drejtuar bombardimet drejt zonës së banimit Nemyshlyansky, tha Ihor Terekhov, kryebashkiaku i qytetit të Kharkiv.
“Një tjetër bombardim në Kharkiv,” shkruan kryebashkiaku në Telegram.
“Rrethi Nemyshlyansky tani është nën sulm. Ka pasur sulme me raketa në një zonë banimi me popullsi të dendur. Nuk ka infrastrukturë ushtarake aty pranë. Informacionet për viktimat dhe shkatërrimet janë duke u sqaruar”, thotë kryebashkiaku.
Lexo edhe: Ukraina: Lufta ka hyrë në fazën e tretë
Terekhov i quajti sulmet e fundit “hakmarrje” nga Rusia për sukseset e fundit të Ukrainës në fushën e betejës, ndërsa presidenti i vendit Volodymyr Zelensky kritikoi “terroristët rusë” për ndërprerjet e energjisë elektrike, shkruan The Guardian.
Sakaq, ushtria ukrainase njoftoi sot se kishte rimarrë 500 kilometra katrorë territor nga forcat ruse në dy javë kundërofensivë në rajonin Kherson.
“Sukseset tona në këto dy javë janë mjaft bindëse,” u tha gazetarëve Natalia Gumenyuk, një zëdhënëse ushtarake për jugun, “ne çliruam rreth 500 km katrorë.” kryesisht komunitetet Visokopilia, Bilogirka, Soukhi, Stavok dhe Miroliubifka.
Nga ana tjetër, Rusia tha sot se bombardoi zonat në rajonin e Kharkiv të Ukrainës (lindje) që u rimorën ditët e fundit nga forcat e Kievit gjatë një kundërsulmi të befasishëm.
Ndërkohë, në një intervistë të publikuar sot në Monde, ministri ukrainas i Mbrojtjes Oleksii Reznikov deklaroi se lufta në Ukrainë ka hyrë në “fazën e tretë” dhe sukseset ushtarake ukrainase do të kenë një efekt “orteku” deri në humbjen e ushtrisë ruse, raporton abcnews.al.
“Fushata kundërofensive është faza e tretë,” tha Reznikov ndërsa forcat e Kievit përparojnë me shpejtësi në rajonet lindore dhe jugore të vendit dhe thonë se kanë rimarrë 3,000 metra katrorë territor që nga fillimi i shtatorit./Abcnews.al/