Të paktën tre persona humbën jetën dhe 14 të tjerë u plagosën si pasojë e sulmeve ruse në rajonet ukrainase Poltava (në qendër) dhe Zaporizhia (në jug), njoftuan autoritetet lokale.
Në rajonin e Poltavës, guvernatori Vitaliy Dyakinivts raportoi për dy viktima dhe 11 të plagosur, si dhe dëme në ndërtesa banimi dhe një hotel.
Ndërsa në Zaporizhia, guvernatori Ivan Fedorov deklaroi se forcat ruse kryen një “sulm masiv të kombinuar me dronë dhe raketa”, duke shtuar se një person humbi jetën dhe tre të tjerë u plagosën.
Nga ana tjetër, në gadishullin e Krimesë, i aneksuar nga Rusia në vitin 2014, guvernatori i Sevastopolit, Mikhail Razvozhaev, njoftoi se një shpërthim në një pallat banimi shkaktoi të paktën dy viktima dhe tetë të plagosur. Ai nuk dha detaje mbi shkaqet e shpërthimit dhe nuk e lidhi drejtpërdrejt me luftën që vazhdon që nga shkurti i vitit 2022.


