Sulm terrorist në Siri, 4 marinsa humbin jetën

schedule19:00 - 16 Janar, 2019

schedule 19:00 - 16 Janar, 2019

Një atentat terrorist i marrë përsipër nga Shteti Islamik në veri të Sirisë u ka marrë jetën 4 ushtarëve amerikanë. Episodi ka bërë që të ngrihen dyshime mbi pretendimet e presidentit Donald Trump se ISIS është mposhtur dhe se trupat amerikane duhet të tërhiqen nga vendi.

Të paktën 16 persona kanë humbur jetën në një atentat vetëvrasës i ndodhur të mërkurën në një lokalitet në veri të Sirisë. Sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut, 4 nga viktimat janë ushtarakë të koalicionit anti-ISIS të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa pjesa tjetër militantë lokalë të mbështetur nga amerikanët dhe civilë.

Sipas mediave ndërkombëtare, atentati i ndodhur në një restorant në qytetin e Manbixhit, i kontestuar nga SHBA dhe Turqia, është marrë përsipër nga Shteti Islamik. Muajin e kaluar, presidenti Donald Trump njoftoi tërheqjen e 2 mijë trupave amerikane nga Siria me argumentin se ISIS ishte mposhtur, por mesa duket jo plotësisht.

Kundërshtarë të projektit të Trump deklarojnë se edhe pse ISIS aktualisht kontrollon vetëm 1 për qind të territorit që kontrollonte 5 vjet më parë, ende nuk është zhdukur tërësisht.

Ndërsa një raport i fundit i shërbimeve të inteligjencës vlerëson se organizata ka rreth 14 mijë militantë në Siri dhe shumë më tepër në Irakun fqinj, të cilët pritet të kthehen në njësi guerrile në përpjekje për të ringritur rrjetin. Agjencia e lajmeve kurdo-siriane ANHA ka raportuar më tej se, trupat e pajetë të 4 marinsave u evakuuan me helikopter. Më vonë, një zëdhënës i koalicionit anti-ISIS konfirmoi vdekjen e anëtarëve të ushtrisë amerikane, duke saktësuar se ata po kryenin një patrullim rutinë./abcnews.al