Sulm në një klinikë në Zaporizhia në Ukrainës, disa të vrarë

schedule12:46 - 11 Dhjetor, 2024

schedule 12:46 - 11 Dhjetor, 2024

Numri i të vrarëve në një sulm të Rusisë në një klinikë në qytetin Zaporizhja të Ukrainës është rritur në shtatë, njoftoi Shërbimi Shtetëror i Emergjencave të Ukrainës të mërkurën.

Sipas tij, së paku 22 persona janë plagosur po ashtu, ndërsa operacionet e shpëtimit janë duke vazhduar.

Guvernatori rajonal i Zaporizhjës, Ivan Fedorov, shkroi në Telegram se dy gra u nxorën nga rrënojat gjatë natës dhe aktualisht ndodhen në spital.

Ai shtoi se katër persona besohet se janë ende të bllokuar poshtë ndërtesës së shkatërruar nga sulmi.

Rusia ka intensifikuar sulmet e saj me dronë dhe raketa në qytetet e Ukrainës, e sidomos në infrastrukturën e saj energjetike, tani në fillim të dimrit.

Zaporizhja ishte rregullisht shënjestër e sulmeve.

Më 6 dhjetor, dhjetë njerëz u vranë nga një sulm në këtë qytet.

Më 10 dhjetor, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u bëri thirrje aleatëve të Kievit që t’i sigurojnë edhe 10-12 sisteme të tjera të mbrojtjes ajrore, Patriot, që ai tha se janë të nevojshme për t’i mbrojtur plotësisht qiejt e Ukrainës.

Agjencia e lajmeve, Reuters, citoi dy burime të kenë thënë se gjatë një takimi të Zelenskyt me presidentin e zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, ai kërkoi garanci për sigurinë e Ukrainës në çfarëdo përfundimi të negociuar të luftës me Rusinë.

Takimi i 7 dhjetorit në Paris u organizua nga presidenti francez, Emmanuel Macron.
Edhe Ukraina, edhe Rusia kanë bërë përpjekje t’i forcojnë pozicionet e tyre negociuese përpara fillimit të mandatit të dytë të Trumpit në janar.

Trump ka thënë se do ta ndalonte luftën gati trevjeçare në Ukrainë “për 24 orë”.

Për pasojë, Kievi druan se mund të detyrohet të heqë dorë nga një pjesë e madhe e territoreve, në këmbim të paqes./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!