Neymar do i duhet të ndalet sërish. Braziliani u dëmtua dje në ndeshjen e Kupës me Caen dhe pas kryerjes së ekzaminimeve PSG zbuloi se braziliani do të mungojë një muaj, duke humbur kështu dy ndeshjet me Barcelonën në Champions League.
Pas këtij lajmi ka reaguar për herë të parë Neymar. 29-vjeçari në një postim në Instagram tregon se trishtimi dhe lotët janë të vazhdueshme për të, teksa ka sulmuar edhe njerëzit, që e kanë kritikuar dhe e kanë kritikuar deri më tani për stilin e tij të lojës dhe mënyrën sesi sillet në fushë.
“Trishtimi është i madh, dhimbja është e madhe dhe e qara është e vazhdueshme. Edhe një herë do të ndalem për një kohë për të bërë atë që dua më shumë në jetë, të luaj futboll.
Ndonjëherë nuk ndihem rehat për shkak të stilit tim të lojës, sepse dribloj dhe goditem vazhdimisht, nuk e di nëse problemi jam unë apo çfarë bëj në fushë … me të vërtetë më trishton.
Më trishton shumë të dëgjoj nga një lojtar, trajner apo komentator fjalët: “ai e meriton të goditet”, “rrezohet”, “duke qarë”, “fëmijë”, “i llastuar”, etj.
Sinqerisht kjo më trishton dhe as nuk e di kur mund ta kaloj këtë, thjesht dua të jem i lumtur duke luajtur futboll. Vetëm kaq”, shkruan Neymar në rrjetet sociale. /abcnews.al