Një sulm me bombë ka ndodhur ndaj një automjeti policie në Pakistanin jugperëndimor, ku si pasojë kanë humbur jetën 4 persona dhe 15 të tjerë janë plagosur.
Mediat e huaja shkruajnë se shpërthimi ndodhi në një treg të frekuentuar në Quetta, kryeqyteti i Balochistanit , ku grupet separatiste lokale dhe lëvizjet islamiste shpesh kryejnë sulme të tilla që synojnë forcat e ushtrisë ose policisë.
“Hetimet fillestare tregojnë se shpërthimi u shkaktua nga një mjet shpërthyes i improvizuar që ishte vendosur në një motoçikletë dhe shpërtheu nga distanca,” ka thënë një oficer policie, Azfar Mehsar
Ndërkohë mes 4 të vdekurve autoritetet kanë konfirmuar se është dhe një vajzë 5 vjeçare.
Ndërkohë deri më tani sulmi nuk është marrë përsipër nga asnjë organizatë.
Sipas një punonjësi tjetër policie, Shafkat Cheema, objektivi ka qenë automjeti i ushtruesit të detyrës së drejtorit të departamentit të hetimit të policisë, i cili ishte parkuar në Pazarin Kandahari.
Balochistani, provinca më e madhe, më e populluar dhe më e varfër e Pakistanit, kufizohet me Iranin dhe Afganistanin. Përveç organizatave separatiste, në rajon janë aktiv edhe xhihadistët si Tehrik-e-Taliban Pakistan, Talibanët pakistanezë./abcnews.al