Policia në Danimarkë dhe Gjermani ka arrestuar gjithsej 14 persona nën dyshimin e planifikimit të një sulmi me bombë.
Sipas mediave të huaja, 13 persona u arrestuan në Danimarkë gjatë një operacioni të madh kundër-terrorizmit të kryer fundjavën e kaluar në periferitë më të mëdha të Kopenhagës. Gjithashtu, një person tjetër u arrestua në Gjermani.
Të dyshuarit ndodhen në Danimarkë në paraburgim “për planifikimin e një ose më shumë sulmeve terroriste ose pjesëmarrjen në një akt terrorist në përpjekje”, sipas PET.
Mediat bëjnë të ditur se tre vëllezër sirianë, të moshës 33, 36 dhe 40 vjeç, janë midis të arrestuarve; dy në Danimarkë dhe i treti në Hesse, një rajon në Gjermaninë qendrore.
Të tre burrat dyshohen se përgatisnin “një sulm serioz që rrezikon shtetin”, sipas zyrës së prokurorit publik në Saksony-Anhalt. Akuza kryesore që rëndon tek të dyshuarit është përdorimi i kimikateve në janar për të prodhuar eksplozivë.
Identitetet e të dyshuarve të tjerë nuk janë bërë publike, dhe asnjë nga vendet nuk ka specifikuar objektivat e mundshëm për sulmin. Në një konferencë shtypi, policia daneze shtoi se ata gjithashtu kishin gjetur armë dhe një flamur të grupit të Shtetit Islamik që mund të tregonte se të dyshuarit “kishin një lidhje me organizatën terroriste”./abcnews.al