Të paktën një nxënëse u vra dhe tre të tjerë u plagosën sot në një sulm me armë në një shkollë në qytetin më të madh të Brazilit, Sao Paulo, sipas autoriteteve.
Sulmi ndodhi në Sapopemba, një lagje në anën lindore të Sao Paulos dhe autori është arrestuar, tha policia.
“Qeveria e Sao Paulos shpreh keqardhje të thellë për familjet e viktimave të sulmit që ndodhi të hënën në mëngjes në shkollën shtetërore Sapopemba”, thuhet në një deklaratë nga qeveria lokale.
Sipas qeverisë, tre studentë u qëlluan dhe njëra prej tyre, një vajzë, vdiq, ndërsa dy të tjerët u shtruan në spital. Një student i katërt u plagos teksa po përpiqej të largohej nga sulmi.
“Në këtë kohë, prioritet është të ndihmohen të lënduarit dhe të ofrohet mbështetje psikologjike për studentët, profesionistët e arsimit dhe familjet e tyre”, thuhet në njoftim.
Në mars, një student vrau me thikë një mësues në një shkollë në një lagje tjetër në Sao Paulo ku u plagosen tre mësues dhe një nxënës.