Arjan dhe Vilma Konomi së bashku me foshnjën e tyre 3-muajshe u përplasën nga një “G Class” i drejtuar nga Ajas Sulejamni ditën e djeshme në Tiranë. Çifti ishte duke kaluar në vijat e bardha, ndërsa 39-vjeçari Sulejmani tentoi të kalonte semaforin teksa drita e kuqe ishte e ndezur për makinat.
Eksperti i Kriminalistikës, Artan Rexhepi i ftuar në emisionin “Abc Live” si faktor të parë të aksidenteve shikon mungesën e edukatës te drejtuesit e mjeteve. Rexhepi theksoi se një masë e menjëhershme që duhet të merret ka të bëjë edhe me sinjalistikën, e cila është një nga faktorët kryesorë që shpesh çon në aksidente.
Rexhepi: Aksidenti është aksident. Duhet ta ndajmë një person që shkakton një ngjarje aksidentale nga një vrasës që të del në rrugë me kallashnikov. Në rastin konkret ngjarja është shumë e rëndë. Aksidentet kanë shumë faktorë. Faktori i parë është mungesa e edukatës së drejtuesve të mjetit. Nëse do ta shikoni statistikisht, në 70 % të rasteve, janë fajtorë këmbësorët, por nuk është ky rasti. Një rrugë jo e mirë, një trafik jo i mirë mund të jetë shkak i aksidentit. Masat duhet të fillojnë që nga bashkia me sinjalistikën. Jo gjithmonë e zgjidh ashpërsimi i masave.
Lexo edhe: FOTO LAJM/ “S’jam dakord”. Policia i heq patentën 2 vjet, Ajas Sulejmani kundërshton vendimin. Përplasi familjen me “Benzin” luksoz
Eksperti vuri theksin te një fenomen që e hasim shpesh nga drejtuesit e mjeteve luksoze të cilët tentojnë t’i shpëtojnë masave administrative duke korruptuar punonjësit e policisë. Pas hetimeve, Ajas Sulejmani rezultoi se ishte ndëshkuar 8 herë nga efektivet e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, nga të cilat disa herë për shkelje të sinjalizimit rrugor, shkelje semafori dhe mospërdorim të rripit të sigurimit. Pavarësish kësaj ai lëvizte lirshëm në rrugët e Tiranës. Rexhepi tha se për personat e pasur nivelet e korrupsionit janë më të larta.
Rexhepi: Ata kanë mjete financiare dhe shpesh nuk ndëshkohen. Nëse ato që thuhen janë të vërteta (Ajas Sulejmani është i skeduluar nga drejtësia angleze për trafik droge) kjo që ka ndodhur në aksident është gjëja më e vogël që mund t’i ndodhë nëse është prototip i veprave të rënda penale. Sanksionet janë ligji, nuk duhet t’i heqësh. Për personat e pasur nivelet e korrupsionit janë të larta. normalisht duhet t’i kishin hequr pikët dhe ta çonin në kurs. Një pikë që duhet parë janë kontrollet në vijat e para pa semafor. Rasti konkret ai ishte në vija të bardha me semafor, është dyfish shkelje./abcnews.al/