Sukthi, 24 orë ujë të pijshëm

schedule14:45 - 23 Qershor, 2019

schedule 14:45 - 23 Qershor, 2019

Banorët dhe bizneset private të zonës së Sukthit në Durrës do të kenë rrjet të ri të furnizimit me ujë të pijshëm 24 orë. Gjatë inspektimit të përfundimit të fazës së parë të projektit, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi se është gati edhe faza e dytë e projektit që do iu shërbeje 3900 banorëve.

Rreth 2200 banorë si dhe mbi 100 subjekte private në zonën e Sukthit  do të furnizohen me ujë të pijshëm 24 orë. Lajmin e bëri të ditur ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku e cila inspektoi përfundimin e fazës së parë të projektit dhe njoftoi nisjen e fazës së dytë të tij.

“Pas përfundimit të kësaj faze të parë të projektit, AKUM ka planifikuar për të vazhduar me një fazë të dytë projekti i cili do të ofrojë shërbim për 3900 banorë të tjerë dhe çfarë është më e rëndësishme ne po arrijmë që të kapim nivelet e 150 litra ujë përditë për banorë dhe kjo është diçka e jashtëzakonshëm që ndodh në këtë zonë. Kjo zonë përveç se ka një lidhje me zonën e Hamallajt, ku turizmi po zhvillohet atje, është një zonë ku janë vendosur njësi industriale siç janë ato të fasonërisë apo industria e bulmetit që kanë nevojë shumë për mbështetjen logjistikë qoftë nga ujësjellësi dhe qoftë nga shërbimi me energji nga OSHEE-ja”, tha ajo.

Sipas Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, mungesa e investimeve dhe amortizimi i rrjetit e kishte bërë që në Sukth të kishte kufizim të furnizimit me ujë të pijshëm. Me investimin e ri do të eliminohen edhe humbjet në rrjet si dhe lidhjet e paligjshme./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!