Sukses i rëndësishëm për Kinën: Ulet në Mars një robot pa pilot

schedule08:24 - 15 Maj, 2021

schedule 08:24 - 15 Maj, 2021

Kina arriti sot të ulë në sipërfaqen e Marsit robotin pa pilot. Ulja në planetin e kuq është një detyrë jashtëzakonisht e ndërlikuar. Shumë misione europiane, sovjetike dhe amerikane për këtë qëllim kanë dështuar në të kaluarën.

Kina tashmë ishte përpjekur të dërgonte një robot kërkimor në Mars në 2011, një mision i përbashkët me Rusinë. Pas dështimit të tij, Pekini vendosi të vazhdojë aventurën i vetëm.

Agjencia Kineze e Hapësirës nisi misionin pa pilot Tianwen-1 nga Toka më 23 korrik 2020, siç quhet anija kozmike e dërguar në hapësirë.

Ai përbëhej nga tre komponentë: pjesa kryesore e anijes që do të mbetet në orbitë rreth Marsit, pjesa që u ul dhe, brenda tij, roboti i telekomanduar Zhurong.

“Anija kozmike Tianwen-1 zbarkoi me sukses në zonën e paracaktuar” të Marsit me robotin Zhurong, transmetoi rrjetin televiziv shtetëror CCTV dhe sipas APE-MPE sqaroi se një sinjal ishte marrë në Tokë.

Ulja u bë në një zonë të planetit të kuq të quajtur Utopia Planitia, një luginë e gjerë në hemisferën veriore të Marsit.

Për kinezët, kjo është përpjekja e parë e pavarur për eksplorimin e hapësirës. Ata kanë plane ambicioze, shpresojnë të arrijnë gjithçka që kanë arritur amerikanët, të cilët kanë bërë disa misione në Mars që nga vitet 1960.

Në shkurt, Kina kishte arritur të niste Tianwen-1 në orbitë rreth Marsit dhe filloi të dërgonte fotografi dhe materiale të tjera nga planeti i kuq për t’u studiuar nga shkencëtarët.

Sot, ai arriti të zbarkonte në sipërfaqe pjesën që mbante robotin e vogël Zhurong, i cili ishte në gjendje të dilte.

Përfundimi me sukses i të tre fazave të misionit të parë në Mars është i pari në botë.

Me peshë më shumë se 200 kg, Zhurong është i pajisur me katër panele fotovoltaike për të siguruar furnizimin me energji. Ai do të jetë funksional për tre muaj.

Ai gjithashtu ka kamera, radarë dhe lazer, të cilët do të lejojnë të studiojnë mjedisin e tij dhe të analizojnë përbërjen e shkëmbinjve të Marsit.

Emri Zhurong i referohet perëndisë së zjarrit në mitologjinë kineze. Simbolika justifikohet nga emri kinez i Marsit, Huoxing, “planeti i zjarrit”./abcnews.al