Suedia ndërpret përkohësisht funksionimin e reaktorit më të madh bërthamor në vend

schedule21:38 - 28 Shkurt, 2023

schedule 21:38 - 28 Shkurt, 2023

Reaktori më i madh bërthamor i Suedisë do të mbyllet për tetë ditë për shkak të një shufre karburanti të dëmtuar, raporton sot gazeta Dagens Nyheter (DN). Reaktori 3 në stacionin bërthamor të Oskarshamn (juglindje) do të shkëputet nga rrjeti kombëtar më 3 mars.

Një tjetër nga gjashtë reaktorët bërthamorë të Suedisë është aktualisht jashtë funksionit për shkak të punëve të mirëmbajtjes.

“Është për të ardhur keq, por çështja e konsumimit të shufrës së karburantit duhet të adresohet. Nuk mund të presë”, tha për DN Desiree Lilieval, menaxhere e komunikimit për kompaninë administruese OKG.

Dhjetorin e kaluar, kur i njëjti reaktor bërthamor u mbyll për nëntë ditë për shkak të një problemi teknik, kostot e energjisë për konsumatorët ishin rritur, kujton gazeta suedeze.

“Nëse është ftohtë, ne do të duhet të mbështetemi te importet,” tha Erik Eck i operatorit kombëtar të transmetimit të energjisë elektrike Svenska Kraftnat, duke iu referuar ndikimit që mund të ketë ndërprerja e planifikuar.

Pothuajse 30% e energjisë elektrike të prodhuar në Suedi vjen nga reaktorët bërthamorë. Midis 2017 dhe 2020, katër u dekomisionuan dhe sot gjashtë reaktorë në tre centrale bërthamore mbeten në funksion. /abcnews.al