Shqiptarët e Zvicrës u detyruan të kthehen në shtëpi pa arritur në çerekfinalet e Botërorit. Suksesi ishte i Suedisë që u tregua më shumë skuadër në stadiumin e Shën Peterburgut.
Ishte e vështirë ta ndiqje pas spektaklit belgo-japonez, por tifozët suedezë u kënaqën edhe kështu. Kombëtarja e tyre u kualifikua për në çerekfinalet e Kupës së Botës me një fitore të vogël ndaj Zvicrës, 1-0, në një ndeshje të lodhur në Shën Peterburg.
Nuk pati sulme e kundërsulme të shpejta siç bënë Belgjika e Japonia, por gjithsesi, në fushë ishte një ekip shumë i organizuar, që e arriti qëllimin. Suedia dominoi pjesën e parë, me një lojë kolektive, përballë një Zvicre pa liderin e saj, kapitenin Lihtshtajner.
Edhe pse katër shqiptaro-zviceranët ishin në fushë, sërish ata nuk e morën dot kontrollin e lojës. Shaqiri, Xhaka, Behrami e Xhemaili këtë herë nuk ishin aq heronj si ndaj Serbisë.
Formacioni i trajnerit Jane Anderson triumfoi falë golit të Emil Forsbergut, dhe pastaj përballoi reagimin e kundërshtarit. Zviceranët i patë disa mundësi, edhe pse në fund ato dolën pak.
Suedezët, madje mund të kishin shënuar për së dyti, kur gjyqtari Skomina u dha një penallti, por 11-metërshi u anulua. Teknologjia VAR u tregua edhe një herë vendimtare në Botëror./abcnews.al