Të paktën tre civilë janë vrarë në përleshjet midis ushtrisë dhe Forcës së Mbështetjes së Shpejtë paraushtarake (RSF) në Sudan, tha një organizatë mjekësore lokale.
Zëdhënësi i forcave të armatosura i tha Al Jazeera Mubasher TV se ushtria do të reagojë ndaj çdo veprimi “të papërgjegjshëm” pasi forcat e saj përleshen me Forcat e Mbështetjes së Shpejtë paraushtarake (RSF) në disa zona të kryeqytetit Khartoum, si dhe zona të tjera të vendit.
RSF njoftoi sot se ata kanë nën kontroll pallatin presidencial, rezidencën e shefit të ushtrisë, gjeneral Abdel Fattah al-Burhan dhe aeroportin ndërkombëtar në Khartoum në një tentativë për grusht shteti.
Gjeneral brigade Nabil Abdullah tha se disa politikanë po përpiqeshin të “politizonin” ushtrinë, duke shtuar se forcat e RSF kishin një prani të fortë në selinë e televizionit shtetëror.
Akuzojnë ushtrinë për një grusht shteti
Komandanti i Forcës së Mbështetjes së Shpejtë paraushtarake (RSF) gjenerali Mohamed Hamdan Dagalo, i njohur si Hamedi, e cilësoi shefin e ushtrisë Abdel Fattah al-Burhan si kriminel, duke fajësuar ushtrinë për organizimin e grushtit të shtetit, në një intervistë të drejtpërdrejtë telefonike sot në Katar, baza e rrjetit televiziv Al Jazeera.
Hemmedi tha se ushtarët e tij u futën në bllokadë ushtarake ndërsa përleshjet me ushtrinë shpërthyen në të gjithë vendin pas disa ditë tensione të përshkallëzuara.
SHBA: Ndaloni armiqësitë
Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken tha sot se ai është thellësisht i shqetësuar për raportet për përshkallëzimin e dhunës midis forcave të armatosura sudaneze dhe organizatës kryesore paraushtarake të RSF-së, ndërsa bëri thirrje për përfundimin e menjëhershëm të armiqësive.
“Ne jemi në kontakt me ekipin tonë të ambasadës në Khartoum”, tha Blinken në një postim në Twitter. “Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të përfshira që të ndalojnë menjëherë dhunën dhe të shmangin përshkallëzimin e mëtejshëm të armiqësive ose mobilizimin e forcave, por të vazhdojnë bisedimet për të zgjidhur çështjet e rëndësishme.”
Pezullimi i fluturimeve
Linja ajrore shtetërore egjiptiane EgyptAir njoftoi sot se po pezullon fluturimet drejt dhe nga Khartoum për 72 orë pas shpërthimit të luftimeve në kryeqytetin sudanez.
Linja ajrore shtetërore e Arabisë Saudite (Saudia) njoftoi se një prej avionëve të saj Airbus “pati një aksident” në aeroportin e Khartoum në Sudan, përpara nisjes së tij të planifikuar për në Riad, por nuk dha detaje të mëtejshme.
Saudia tha gjithashtu në një deklaratë se fluturimet e saj drejt dhe nga Sudani janë pezulluar deri në një njoftim të dytë.