Luis Suarez ishte pranë kalimit te Juventusi në merkaton e verës së kaluar, por në fund zgjodhi të vijojë karrierën tek Atletico Madrid. “El Pistolero” duhet të kalonte testin e gjuhës italiane për të marrë pasaportën dhe për t’u konsideruar lojtar komunitar.
Provimi ishte fals, sulmuesit i ishte dhuruar teza një ditë më parë dhe Prokuroria e Perugias hapi një hetim në lidhje me këtë çështje. Prokuroria e Perugias konfirmoi ditën e sotme pezullimin për tetë muaj nga ushtrimi i detyrës për Rektorin e Universitetit, Giuliana Gregon; CEO-n e Universitetit, Simone Olivieri; profesorët Stefania Spina dhe Lorenzo Rocca për arsyen e zbulimit të sekretit profesional.
La Reppublica ka zbuluar gjithë procesverbalin e seancës dëgjimore të ish-lojtarit të Barcelonës, dëgjuar gjatë hetimit të prokurorit të Perugias. “Juventusi u interesua për mua në fillim të muajit shtator. Në fillim më telefonoi Nedved, më pas bisedova edhe me Paraticin. Nuk kishim arritur një akord, ata më pyetën nëse isha i interesuar të vija te Juventusi. Më pas u morën me menaxherin tim.
Paratici më tha se kujtonte se kisha pasaportë italiane, njësoj siç ka gruaja ime. I thashë që nuk e kisha, thjesht kisha filluar të bëja praktikën relative duke kërkuar të gjitha certifikatat e nevojshme në vendet ku kam jetuar. Përpara provimit mora përgjigjet e pyetjeve me pdf.
Me Nedved kam pasur kontakte në lidhje me aspektin sportiv, por kam biseduar edhe me Paraticin dhe Andrea Agnellin. Dy apo tre ditë pas testit të gjuhës italiane, presidenti më falënderoi për faktin që kisha marrë letrat nga Barcelona, duke theksuar se i vinte keq që nuk do shkoja te Juventusi.“. /abcnews.al