Pas rrebesheve të shrave që përfshinë natën e mbrëmeshme, Autoriteti Rrugor ka bërë një përmbledhje të situatës në të gjithë rajonet e vendit.
Sipas ARRSH-së, në rajonin verior ka pasur reshje në të gjithë territorin, por pa shkaktuar probleme në qarkullim. Të gjithë specialistët dhe kontraktorët janë në terren në gatishmëri për çdo situatë, sipas autoritetit të rrugëve.
Ndërkohë në rajonin qendror, zonë në të cilën ka pasur reshje të shumta gjatë gjithë natës, ARRSH thotë se është duke punuar për pastrimin e rënies së gurëve nga segmentet në zonën e Dajtit.
Rrugët dytësore dhe segmentet e Kamzës kanë pasur disa vështirësi në qarkullim te nënkalimi i City Park. Tani situata është e normalizuar dhe grupet e punës janë përqendruar në Bubq-Ishëm.
Në zonën e Ibës ka pasur rënie të dendura shiu dhe kontraktori ka punuar për stabilizimin e situatës. Në segmentet rrugore të zonës se Belshit, si rezultat i shirave të dendur në disa vende ka rënie gurësh. Kontraktori po punon për pastrimin e plotë të rrugës. Në të gjitha akset e këtij rajoni, qarkullimi kryhet normalisht.
Ndërkohë në rajonin jugor ka pasur reshje të shumta sidomos në qarkun e Gjirokastrës. Në Dragot dhe pranë Ujit të ftohtë ka pasur vërshim ujërash dhe dherash, por kompania e mirëmbajtjes ka punuar gjatë natës duke kthyer qarkullimin normal sipas autoritetit të rrugëve.
Aktualisht në rajonin jugor të gjitha akset janë me qarkullim normal. Kontraktorët janë në gatishmëri për çdo situatë të përkeqësuar të motit.
“I bëjmë apel të gjithë drejtuesve të mjeteve të bëjnë kujdes, të ulin shpejtësinë të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore”, përfundon njoftimi i Autoritetit Rrugor Shqiptar./ABC News Albania 24/7