Stuhia vdekjeprurëse në Brazil, raportohet për 41 viktima dhe 46 të zhdukur

schedule21:41 - 8 Shtator, 2023

schedule 21:41 - 8 Shtator, 2023

Sipas autoriteteve braziliane, 46 persona janë të zhdukur pas ciklonit shkatërrues që vrau të paktën 41 persona në vend.

Kërkimi për personat e zhdukur vazhdon, siguroi shërbimi i Mbrojtjes Civile i Rio Grande do Sul, shteti më jugor i Brazilit.

Shirat e rrëmbyeshëm dhe erërat e forta detyruan më shumë se 10,000 njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre. Në total, të prekurit tejkalojnë 135,000. Shumë ndërtesa u shkatërruan dhe qytete u përmbytën.

Rreth një mijë ekipe shpëtimi dhe dhjetë helikopterë janë përfshirë në operacionet e kërkim-shpëtimit, ndërsa dy ura janë shembur dhe shumë rrugë mbeten të mbyllura për shkak të rrëshqitjes së dheut.

Autoritetet paralajmërojnë se moti do të mbetet i paqëndrueshëm deri në mëngjesin e së shtunës. Brazili shpesh përjeton ngjarje ekstreme të motit, të cilat shkencëtarët i lidhin me efektet e ndryshimeve klimatike.

Në qershor, kur një ciklon tjetër goditi të njëjtin shtet, të paktën 13 njerëz u vranë, ndërsa në shkurt, 65 njerëz vdiqën nga rrëshqitjet e dheut të shkaktuara nga shirat në Sao Sebastiao, një qytet turistik rreth 200 kilometra nga Sao Paulo.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!