Stuhia shkund Lushnjen, rrafshohen hektarë të tërë me vreshta

schedule15:07 - 18 Gusht, 2018

schedule 15:07 - 18 Gusht, 2018

Një stuhi e cila ka zgjatur vetëm 30 minuta ka dëmtuar plotësisht 25 hektarë vreshtash. Fermerët ishin në prag të mbledhjes së prodhimit, por pas kësaj stuhie thonë se falimentuan.

Edhe shtyllat prej betoni janë shkulur. Hektarë të tërë mbjellë me vreshta u shkatërruan në Toshkëz të Lushnjes pas një stuhie që mbërtheu zonën mbasditen e së premtes. Cikloni aty ku kaloi ka rrafshuar gjithçka. Situata zgjati vetëm 30 minuta. Filloi me breshërin e përfundoi me stuhinë. Nëse prodhuesit do të kishin qenë nëpër ara do të kishte patur dhe jetë të humbura.

Banori: “Në orën 6 filloi një stuhi e fortë erdhi breshëri në fillim fare pastaj dhe pastaj i ktheu bimët përpjetë.”
Banorja: “Ja burri im ka hyrë poshtë rimorkios, rrinte tek rimorkio se s’kishte ça bënte tjetër.”

Sipërfaqja e dëmtuar në vreshta llogaritet në 25 ha në Toshkëz. I gjithë prodhimi ishte gati në të vjelur. Pronarët kishin përfunduar marrëveshjet tregtare të shitjes. Tani ata po vjelin ata ç’ka la pas stuhia. Dëmi i shkaktuar arrin në disa miliona lekë, kurse asnjë nga fermerët nuk e ka të siguruar prodhimin ç’ka do të thotë që nuk mund të përfitojnë nga ligjet e dëmshpërblimeve./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!